Ageler: Lista e Zezë do të zgjerohet edhe me emra tjerë

Emërtimi i sotëm i ish-zëvendëskryeministrit për Çështje Ekonomike, Koço Angjushev dhe familjes së tij është edhe një dëshmi se Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të vazhdojnë t’i sanksionojnë aktorët e korruptuar në këtë vend dhe në rajon, pa dallim të pozicionit të tyre, përcaktimit politik ose kohës së keqpërdorimeve, bëri të ditur ambasadorja amerikane Anxhela Ageler.

Pas vendimit të Departamentit amerikan të Shtetit për vendosjen e Angjushevit në “listën e zezë”, Ageler në postimin në platformën X, paralajmëron se do të pasojnë disa emërtime të tjera.

“Do të vijojnë disa emërtime të tjera, por është fakt se përpjekjet tona dhe sanksionet tona nuk mund ta përmirësojnë epideminë e korrupsionit në Maqedoninë e Veriut. Në fund të fundit, u mbetet funksionarëve dhe qytetarëve të këtij vendi që të kërkojnë përgjegjësi dhe ndryshime”, publikoi Ageler në platformën X. SHBA-ja, paraprakisht sot e cilësoi Koço Angjushevin, si të padëshirueshëm për hyrje në SHBA, për shkak të implikimit të tij me korrupsion të madh, njoftuan sot nga Departamenti amerikan i Shtetit.

Advertisements

“Derisa e ka kryer funksionin zëvendësktryeministër, Angjushev e ka keqpërdorur pozitën e tij zyrtare në dobi të interesave të tij afariste private, duke e minuar besimin e opinionit publik në Maqedoninë e Veriut në institucionet e tyre qeveritare dhe proceset publike”, theksohet në komunikatën e publikuar nga Departamenti i Shtetit.

Aksioni i sotëm, thuhet në komunikatë, tregon se SHBA-ja qëndron me ata të Maqedonisë së Veriut, të cilët kërkojnë përgjegjësi nga funksionarë të korruptuar publik. Në listën e zezë të SHBA-së, për shkak të korrupsionit, paraprakisht u gjetën edhe Nikolla Gruevski, Sasho Mijallkov, Ramiz Merko, Orce Kamçev, Ratka Kamçeva dhe Sergej Samsonenko.