Biden: Izraeli po e humb mbështetjen globale për bombardimet në Gaza

Presidenti i ShBA-së, Joe Biden, ka thënë se Izraeli ka filluar ta humbas mbështetjen globale për shkak të bombardimeve pa dallim në Gaza.

Këto komente të Bidenit shënuan kritikën e tij më të fortë deri më tani ndaj udhëheqjes së Izraelit, teksa përsëriti se Izraeli mund të llogarisë në mbështetjen e ShBA-së.

“Siguria e Izraelit mund të mbështetet në Shtetet e Bashkuara, por tani ata kanë më shumë se Shtetet e Bashkuara. Kanë Bashkimin Evropian, kanë Evropën, kanë pjesën më të madhe të botës”.

“Por ata kanë filluar ta humbin këtë mbështetje nga bombardimet pa dallim që ndodhin”, tha Biden, shkruan BBC.

Tutje, Biden tha se nuk kishte asnjë dyshim për nevojën për ta luftuar organizatën terroriste të Hamasit dhe sipas tij, Izraeli e kishte të gjithë të drejtën për ta bërë këtë.

Por, ai është përballur me presion në rritje, duke përfshirë këtu edhe presionin brenda Partisë Demokratike në ShBA, ku shumë zyrtarë amerikanë kanë shfaqur pakënaqësi ndaj reagimit ushtarak të Izraelit.