Dita botërore e fëmijëve me nevoja të veçanta – Prindërit kërkojnë kushte më të mira

“Jam e kënaqur si e kanë pranuar, shkolla dhe fëmijët. Ajo që na shqetëson më shumë është se ka nevojë për defektolog, që është shumë e rëndësishme dhe një dhomë senzorike. Mërziten, nuk dëshirojnë të qëndrojnë në klasë kështu që brenda orës mirë do të ishte një ndryshim. Vetëm 6 mijë denarë marrë dhe ato nuk janë të mjaftueshme për këto fëmijë sepse logopedi shumë shtrenjtë”, tha një nënë e një fëmije me nevoja të veçanta.

Kështu nis rrëfimin e saj një nënë e një fëmijë me nevoja të veçanta i cili tashmë ndjek mësimet në klasën e tretë, shkruan Alsat.

Ajo shprehet e revoltuar ndaj ndihmës që shteti ndan për këta fëmijë duke shtuar se e njëjta nuk është e mjaftueshme as për seancat që duhet trajtuar në logoped.

Me rastin e 3 dhjetorit, Ditës ndërkombëtare të fëmijëve me nevoja të veçanta, në shkollën fillore “7 Marsi” në Çair u krijuan punime të bukura nga duart e këtyre fëmijëve të cilët po dëshmojnë përparimin e tyre tashmë të përfshirë në klasa të zakonshme. Këtë e thonë edhe asistentët arsimor dhe punonjësit social.

“Me çfarë ngjyre ke ngjyros? Me të gjelbër. Kjo po qesh, kjo është bë nervoz. Këtu, unë jam. Si e ke emrin ti? Ardita”, thanë fëmijë me nevoja të veçanta.

“Jam e kënaqur me suksesin që ka arritur deri tani sepse ka filluat të perceptojë ma kthjellët. Shkronjat, me herët vetëm i ka përshkruar ndërsa tash i njeh disa prej shkronjave, mund ta shkruaj emrin e vet. Mund ti shkruaj emrat e shoqeve apo të familjarëve duke i gjetur shkronjat në alfabet dhe duke i bart në fletore. Ngjyrosjen e bën brenda vijave, e di kufizimin dhe përtejshmërinë”, theksoi Ibadete Saliu Livareka, asistente arsimore.

“Normalisht duhet edhe më tepër t’i përkrahim, jo vetëm në këtë ditë. Si institucion, si shkollë kërkojmë që të kemi edhe dhoma senzorike, smart tabela të kemi që t’ua lehtësojmë më tepër atyre”, tha Mirvete Bajrami, punëtore sociale.

Fëmijët me nevoja të veçanta mbështetje të fortë kanë edhe nga të gjithë nxënësit e shkollës të cilët u gjenden pranë në çdo lëvizje të tyre.

“I ndihmojmë me punime, i ndihmojmë që edhe ata të ndjehen si ne. Ata nuk janë ndryshe nga ne”, u shpreh një nxënëse.

“Ne nuk duhet ti ofendojmë ose t’u themi ndonjë fjalë të rëndë sepse të gjithë ne jemi njësoj. Asnjëherë nuk duhet ti paragjykojmë”, tha një nxënëse.