Escobar: Marrëveshjet Kosovë-Serbi duhet të zbatohen

I dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor Gabriel Escobar thotë se marrëveshjet që Serbia dhe Kosova kanë arritur janë një detyrim ligjor për të dyja palët.

Në një prononcim për Zërin e Amerikës, zyrtari amerikan tha se nënshkrimi ose jo i marrëveshjeve nuk ndikon në detyrimin që kanë palët për t’i zbatuar ato.

Qëndrimi i Escobar vjen pas deklaratave të Kurtit se është i gatshëm të pranojë dhe të nënshkruajë projektstatutin për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe në krahun tjetër të Vuçiç që bëri të qartë se nuk do të pranojë asgjë që nënkupton njohjen de-fakto të Kosovës.

“Këto dy deklarata nuk pasqyrojnë realitetin pasi ato marrëveshje janë të ligjërisht të detyrueshme, gjë që të dy udhëheqësit e kanë pranuar. Të dy udhëheqësit e kanë marrë këtë angazhim përpara Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara. Palët kanë detyrime specifike për të ndërmarrë, në rrugën drejt normalizimit; Kosova Asociacionin dhe Serbia njohje e dokumenteve doganore të Kosovës, targave, letërnjoftimeve e të tjera si këto”.

Zyrtari amerikan tha se Shtetet e Bashkuara e mbështesin plotësisht dialogun dhe se ajo që ka mbetur lidhet vetëm me kohën dhe mënyrën se si do t’i zbatojnë të dyja palët detyrimet./tvklan