Ganiu: Partnerët e Ahmetit, njëri në listën e zezë, tjetri në darkë me ambasadorin kinez

Kryetari i komunës së Çairit, Visar Ganiu, njëherësh përfaqësues i lartë i Lëvizjes Demokratike, ka komentuar marrëveshjen e firmosur sot në Tetovë mes liderit të BDI-së, Ali Ahmeti dhe atij të PDSH-së, Menduh Thaçi, për të dalë bashkë në zgjedhje. Ganiu, në intervistë për Alsat, tha se Ahmeti sot vetëm zyrtarizoi bashkëpunimin me Thaçin, i cili ndodhet në “listën e zezë” të Amerikës.

“Jo më larg se disa javë, ose një muaj, doli Bujari që është kandidat për president të shtetit, ku promovon që do të iniciojë edhe në Këshillin e NATO-s që çdo funksionar ti marr certifikatat e sigurisë, vet ai ishte propozues i ligjit për masat që duhet të ndërmerren për përgjegjësi, ligji për masa kufizuese dhe pastaj kaloi në procedurë qeveria por u bllokua në parlament duke qenë ende kryetar Talat Xhaferi dhe sot e kemi arsyen përse u bllokua. Sot Ali Ahmeti nënshkroi një marrëveshje me Menduh Thaçin, i cili është në listën e zezë amerikane. Kjo tregon përse u bllokua ky ligj, për ta bërë këtë bashkëpunim se është tepër i nevojshëm dhe proevropian për BDI-në, kurse nga ana tjetër në popullatë diçka tjetër promovojnë, diçka tjetër flasin, akuzojnë për palët tjetër”, tha Ganiu.
Më tej Ganiu, tha se lufta e Ahmetit kundër Rusisë dhe Kinës është vetëm deklarative, pasi njëri nga partnerët e tij, ditë më parë është takuar në një darkë ambasadorin e Kinës në RMV.

“Atë ditë që nënshkruan me Zejdin, me Skënder Rexhepin, marrëveshjen me partinë e tyre, në rendin e parë ishin edhe njerëzit e parë të asaj partie. Një ndër ta ishte edhe Adnan Ismaili dhe promovohej “Jo Rusisë, Jo Kinës”, nesër mbrëma Adnan Ismaili ishte së bashku në iftar me ambasadorin e Kinës. Diçka tjetër flasin, diçka tjetër veprojnë, kjo ndodh te BDI dhe ky mjerim që e ka kapluar këtë parti”, tha Ganiu, në intervistë për Alsat.