Gashi: S’kemi nënshkruar kurrfarë Deklarate që përmend Ali Ahmeti, ta tregoj atë letër!

Kryetari i Alternativës, Afrim Gashi deklaroi në emisionin “360 shkallë” se nuk është e vërtetë se kanë nënshkruar një Deklaratë se nuk do t’i bashkohen një qeverie që nuk do të bëjë ndryshimet kushtetuese.

Gashi shtoi se lideri i BDI-së, Ali Ahmeti, ëndërron dhe po kërkon rrugë për të qëndruar në pushtet.

“Kjo nuk është e vërtetë. Nëse është e vërtetë, ai duhet ta tregojë atë letër. Ku është ajo letër? Nëse e ka, le ta tregojë. Ai po lexonte një letër që ne e kemi parë duke qarkulluar në qarqe të caktuara, por pa nënshkrimin tonë. Ai mund të ketë firmosur, por nuk ka një letër të tillë. Ai ëndërron, sheh një mënyrë për të qëndruar në pushtet, por shqiptarët i thanë se duhet të shkojë në opozitë dhe këtë duhet ta pranojë. Ka mbaruar loja”, thotë Gashi.

Kreu i Alternativës tha se në takimin e parë VMRO-DPMNE ka përsëritur qëndrimin e programit zgjedhor se nuk kanë problem me bullgarët në Kushtetutë, por kanë problem me garancitë.

“Në politikë ka gjithmonë zgjidhje dhe kompromise. Më besoni se zgjidhjet po gjenden. Mendoj se duhet të ulemi dhe të kemi një diskutim thelbësor dhe të sinqertë dhe mendoj se do të gjendet një përgjigje”, theksoi Gashi.

Dy ditë më parë, Ali Ahmeti ka lexuar tekstin e një deklarate e cila sipas tij është nënshkruar së bashku me Arben Taravarin, Afrim Gashin, Bilal Kasamin dhe Izet Majitin më 13 janar të këtij viti, ku thuhet se do të bashkëpunojnë vetëm me partitë politike që janë dakord për zbatimin e ndryshimeve kushtetuese.(INA)