Ja si të siguroni një biletë për “Euro 2024”

UEFA njofton të gjithë tifozët e Kombëtares shqiptare në mbarë botën se së shpejti nis procesi i shitjes së biletave të ndeshjeve të Kampionatit Europian “Gjermani 2024”.

Të gjithë të interesuarit për t’u pajisur me bileta për ndeshjet e vitit të ardhshëm në Gjermani, mund të hyjnë në faqen zyrtare të UEFA.com, duke përdorur linkun përkatës (https://www.uefa.com/euro2024/ticketing/).

Federata Shqiptare e Futbollit thotë se nuk shet asnjë biletë për tifozët e Kombëtares, por biletat për ndeshjet e Kombëtares apo ndeshjet e tjera të finaleve të Europianit do të shiten vetëm online në faqen e UEFA-s, në linkun e lartpërmendur.

Tifozëve u kërkohet që të krijojnë një llogari në faqen zyrtare të UEFA-s dhe të aplikojnë për bileta për ndeshjet e preferuara të Kombëtares shqiptare. Regjistrimi nis në datën 4 deri më 12 dhjetor 2023, pasi Kombëtarja shqiptare të njohë kundërshtarët në grup dhe stadiumet ku do të luajë. Në momentin që regjistroheni, ju duhet të identifikoheni si tifoz i Kombëtares shqiptare, duke zgjedhur ndeshjet e Shqipërisë (flamur shqiptar).

Gjithashtu, ju duhet të përcaktoni edhe numrin e biletave që doni të keni në dispozicion. Me një llogari, ju mund të blini deri në 4 bileta për një ndeshje. Nëse kërkesat dhe aplikimet tejkalojnë disponueshmërinë e biletave që i jepet si kuotë tifozëve shqiptarë, UEFA do të hedhë një short për të gjithë personat që kanë aplikuar si tifozë të Shqipërisë. Fituesit do të njoftohen me e-mail për të paguar biletat e tyre në janar të vitit 2024