Jasir Asani nuk do të luajë asnjë ndeshje deri në nisje të “EURO 2024”?!

Jasir Asani nuk do të luajë asnjë ndeshje deri në nisje të Europianit. Situata e anësorit është serioze, duke u nisur edhe nga deklaratat që trajneri i tij ka dhënë pak javë më parë.

Li Jung Ho e ka aktivizuar vetëm 8 minuta këtë kampionat Asanin, ndërkohë para gazetarëve ai është shprehur se Jasiri ka shtuar peshë.

“Ai ka shtuar shumë peshë dhe s’është mjaftueshëm i mirë në stërvitje. Edhe nëse humbim 10 ndeshje radhazi, Asani përsëri nuk do të luajë me performancën që jep në stërvitje, për sa kohë që unë të jem ende trajner”.

Ylli kuqezi i eliminatoreve të Shqipërisë sezonin e kaluar shënoi 7 gola dhe 3 asistime në 33 ndeshje të kampionatit, ndërsa këtë vit ka parë vetëm pak minuta në fushë. Trajneri, duke folur për gazetarët, ka vënë në pikëpyetje vendin e tij në kombëtaren e Shqipërisë.

“Ai s’luan sepse performanca aktuale është e dobët. Gabriel ka luajtur mirë. Nuk e di pse është përzgjedhur Asani nga kombëtaren e Shqipërisë. Trajneri i Shqipërisë, duhet të mendojë për zgjedhjen e tij”, u shpreh pak kohë më parë trajneri i Guangjusë.

Krisja mes Asanit dhe klubit koreano-jugor ka nisur edhe më herët, saktësisht në janar, kur sulmuesi i krahut kërkonte që të rikthehej në futbollin europian, por pretendimet e ekipit aktual u rritën. 28-vjeçari është në kontratë deri në dhjetor të këtij viti. /Balkanweb/