“Lahuta e Malcis”, kryevepra e censuruar gjatë regjimit komunist

Më 5 janar 1991, recitohet për herë të parë në publik pas 45 vjetësh “Iliada” shqiptare, “Lahuta e Malcis”.

Përgjatë gjysmëshekullit të regjimit komunist, kryevepra e Atë Gjergj Fishtës, u censurua krahas botimeve të autorëve të tjerë nga veriu i vendit, Camaj dhe Harapi. Megjithatë, popullariteti i kësaj vepre në radhët e shqiptarëve, në mënyrë të veçantë mes shkodranëve, ishte i padyshimtë.Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave kujton se, gjatë këndimit të vargjeve të Fishtës, në Shkodër, pati një çast pezulli prej aktorit në rolin e rapsodit. Mirëpo, performuesit i erdhi në ndihmë publiku, që fragmente të veprës i kishte memorizuar varg për varg.

Studiues të shumtë, vendas dhe të huaj, e kanë cilësuar Fishtën si figurën më madhore të letrave shqipe në shek. XX-të. Krahas barabitjes me “Iliadën” e autorit helen, në veprën e Fishtës do të gjendeshin përngjashmëri edhe me stilin e Dantes dhe të Gëtes, për nga pleksjet e mitologjisë me realitetin, mendimi filozofik dhe dramaciteti. / atsh