Përvojat e ish-sulmuesit anglez Wayne Rooney si trajner kanë qenë të shkurtra deri më tani në karrierën e tij. Legjenda e Manchester United u shkarkua së fundmi nga Birmingham City pas vetëm 15 ndeshjeve, në të cilat ai arriti vetëm dy fitore.
Gjithsesi, ai nuk ka ndërmend të heqë dorë nga ëndrra e tij për t’u bërë një trajner i madh dhe deklaroi se është i gatshëm të punojë me Manchester City: “Nëse Pep Guardiola do të më kërkonte të isha asistenti i tij, unë do të shkoja me vrap”.
Për më tepër, Rooney nuk ka asnjë problem të deklarojë se ish-trajneri i Bayern dhe Barcelona është sot “menaxheri më i mirë në botë”. “Shikoni se si përshtatet, mënyra se si luan Manchester City tani nuk është e njëjtë si katër vjet më parë. Guardiola vazhdon të bëjë ndryshime të vogla dhe të gjithë të tjerët përpiqen të bëjnë të njëjtën gjë”, tha Rooney.
Një nga ata trajnerë që, sipas Wayne Rooney, i detyrohet shumë Guardiolës është Mikel Arteta. Ish-asistenti i Pep tani është në krye të Arsenal. “E shihni se çfarë po bën Arteta tani, unë besoj fuqishëm se shumë vijnë nga mësimet e Pep”, tha ish-sulmuesi anglez.
“Por, është e rëndësishme që të keni parimet dhe idetë tuaja për atë që dëshironi të bëni dhe kjo është ajo që unë u përpoqa të bëja në Derby County, DC United dhe Birmingham City, megjithëse për fat të keq nuk funksionoi”, u shpreh Rooney./telesport/