Të nderuara media, të nderuar qytetarë, jemi para Jush për ta shprehur indinjatën tonë të thellë për shkak të goditjes së rëndë dhe të ultë që Ministria e Arsimit ia bën arsimit në Komunën e Çairit, por edhe në atë të Tetovës e Studeniçanit. Bëhet fjalë për shkurtimin e bllok dotacioneve për shkollat e këtyre komunave, të cilat tashmë edhe zogjtë e malit e dinë se pse po e pësojnë kaq rëndë.
Opozitarizmi në demokraci është vlerë, kurse te ne, sipas logjikës së qeverisë BDI-LSDM, na qenka antivlerë. Ndaj, sipas tyre, hakmarrja është masa më e mire e disiplinimit dhe heshtjes. Po ç’faj kanë nxënësit e shkollave të këtyre komunave?
Dikujt në Qeveri i është “mbushur” mendja se planifikimi i bllok dotacioneve për arsimin fillor për vitin 2024 për Komunën e Çairit mjafton të jetë në vlerën e 525 milionë denarë, duke mos u brengosur fare se vetëm për rroga të punëtorëve në 10 shkollat fillore si dhe regresi i cili nga ky vit është i obligueshëm, nevojiten 500 milionë denarë. Pjesa e mbetur prej 25 milionë denarë është më shumë se simbolike për mbulimin e të gjitha harxhimeve tjera si: ngrohjen qendrore, energji elektrike harxhimet e tjera elemetare për të funksionuar mësimdhënia, mirëmbajtja e objekteve, transporti i nxënësve e kështu radhë.
Skandaloze janë edhe krahasimet e bllok dotacioneve për kokë të nxënësve. Kështu, për shembull, në Çair bllok dotacionet për kokë të nxënësve kapin shifrën e 62.365 denarëve, kurse në Vevçan (komunë maqedonase) 138.256 denarë, në Novo Sellë (komunë maqedonase) 267.058 denarë. Por, edhe më keq është në Komunën e Studeniçanit (komunë shqiptare) vetëm 53.771 denarë.
Alarmante janë edhe të dhënat tjera, të cilat të tregojnë për gjendjen e rëndë në shkollat me mësim sidomos në gjuhën shqipe. Bëhet fjalë për mungesën e mësimdhënësve, përkatësisht për mbushjen e klasave me më shumë se 30 nxënës, ndaj dhe mesatarisht, bie fjala, në Çair, kemi 1 arsimtar në 15 nxënës, në Haraçinë në 16 nxënës, Studeniçan në 15 nxënës, Tetovë në 11 nxënës, kurse në Vevçan 1 arsimtar në 6 nxënës, Vallandovë në 5 nxënës, Strumicë në 9 nxënës etj.
Këto të dhënë tregojnë qartë për gjendjen në arsimin shqip, por edhe për anën tjetër të medaljes, për politizimin e kësaj shtylle të rëndësishme të shoqërisë sonë, të cilit fatkeqësisht i kontribuojnë disa konjuktura qeveritare, përfshi edhe dy drejtuesit kryesore të dikasterit të Arsimit, të cilët ndonëse janë shqiptarë, për interesa partiake nuk çajnë kokën për dëmin që e bëjnë.
Në vend se Ministria e Arsimit të këmbëngulë në përmirësimin e rezultateve të dobëta të dala nga testimi PISA, ajo e thellon akoma edhe më tepër humnerën në të cilën ka rënë arsimi. Po ç’faj kanë nxënësit shqiptarë që duhet ta pësojnë kaq keq? BDI-ja duhet ta kuptojë se nxënësit nuk janë pjesë e politikës, prindërit e të cilëve kontribuojnë në buxhetin e shtetit si çdo prind tjetër, përfshi edhe ata që jetojnë e veprojnë në komunat që i drejton pikërisht BDI.
Lëvizja Demokratike kërkon që Qeveria, ta shqyrtojë këtë vendim dhe ndarjen e bllok dotacioneve ta bëjë në mënyrë objektive, pa tendenca dhe pa logjikën e hakmarrjes, e cila gjithnjë e më shumë po vije në shprehje nga eksponentë qeveritar.” Thonë nga Lëvizjes Demokratike