Në Çmimin e Madh të Italisë në e Monza, fitoi Max Verstappen duke regjistruar fitoren e dhjetë radhazi në botën e Formula 1.
Ky është një rekord unik për holandezin pasi askush më parë nuk kishte mundur të regjistronte kaq fitore të njëpasnjëshme.
Dy herë Kampioni i Botës e nisi nga vendi i dytë garën, teksa Carlos Sainz ishte i pari.
Megjithatë, spanjolli u detyrua të dorëzohej në xhiron e 15-të, kur Verstappen e parakaloi pavarësisht se piloti i Ferrarit rezistoi jo pak.
Në vijim, Sainz e humbi pozicionin edhe ndaj Sergio Perez i cili e mbylli garën në vendin e dytë.
Megjithatë, në fundin e garës piloti spanjoll luftoi shumë dhe ia doli të siguronte vendin e tretë duke lënë jashtë podium shokun e skuadrës, Charles Leclerc, i cili u detyrua të kënaqej me vendin e katërt.
Nga ana tjetër, dyshja e Mercedes e mbylli në vend të pestë dhe të gjashtë, teksa Russell u rendit para Hamilton.
Ndërkohë, në zonën e pikëve u renditen Albon, Norris, Alonso dhe Bottas.
Pas kësaj fitoreje, Verstappen bëhet edhe më i pakapshëm në krye të renditjes dhe titulli i tretë botëror mbetet vetëm një formalitet për holandezin. /Telegrafi/