Jasir Asani është padyshim njeriu i momentit në Kombëtaren shqiptare. Sulmuesi nga Shkupi ka qenë vendimtar për kuqezinjtë, teksa me golat dhe asistet e tij ka ndihmuar ekipin kombëtar të jetë vetëm një pikë larg Kampionatit Europian. I ftuar në “Më lër të flas” në “Top Channel”, Asani ka treguar më tepër rreth zgjedhjes së tij për të veshur fanellën kuqezi. Ai ka pohuar se në monentin që FSHF-ja e ka kontaktuar për herë të parë, ka thënë menjëherë “po”.
“Kur isha 17 vjeç isha me Kombëtaren e Maqedonisë së Veriut në Antalia. Aty më telefonojnë nga Kombëtarja shqiptare dhe më thonë se: “Na pëlqen si lojtar dhe duam të të shohim nga afër”. Në moment i ka thënë ‘po’. Pastaj kam marrë babin në telefon dhe i kam thënë: ‘Babi, t’u plotësua ëndrra. Do të luaj për Kombëtaren shqiptare’. Kam pritur 7 vite për të luajtur me Kombëtaren. Më kanë kërkuar edhe te Maqedonia e Veriut, sepse trajner ka qenë trajneri që më ka stërvitur te Vardari. Ai më njihte. Por unë i thashë: ‘Ne jemi shqiptarë’. Unë kam lindur në Maqedoni, por jam shqiptar. Ne vetëm një Kombëtare kemi, nuk kemi tjetër”, ka thënë Jasir Asani.