Mexhiti: 40% e udhëheqëseve në legjislativ dhe ekzekutiv duhet të jenë gra

Kryetari i Lëvizjes Demokratike , Izet Mexhiti, gjatë konferencës së Forumit të Grave të LD-së, u shpreh se është i pakënaqur nga pjesëmarrja e grave që udhëheqin institucionet e shtetit. Ai tha se, edhe pse ligji e parasheh qartë që 40% e udhëheqësve në legjislativ duhet të jenë gra, ky numër është shumë i vogël. Mexhiti u shpreh se Lëvizja Demokratike do të ndryshojë edhe ligjin për ekzekutivin, përkatësisht, qeverinë ku dhe aty në mënyrë taksative të shënohet se 40 për qind e udhëheqësve duhet të jenë gra.

“E dimë që në të kaluarën prezenca e femrës në politikë ka qenë shumë e ulët edhe në kampin maqedonas, por sidomos në kampin shqiptar. Ligji parasheh që në legjislativ, përkatësisht në parlament dhe në këshillat komunal, 40 për qind të jenë gra. Por si në Kuvend, ashtu edhe në këshillat komunal shihet që prezenca është bukur e mirë e ulët. Prandaj, kemi ardhur në përfundim se jo vetëm në legjislativ të jetë 40%, por edhe në ekzekutiv. Pra kjo, nënkupton ministrat, zëvendësministrat, sekretarët shtetërorë etj. Gratë deri më tani kanë demonstruar se dinë të udhëheqin mirë nëpër institucione, janë më pak të korruptueshme. Meqë Meqë fuqi politike është ekzekutivi, është ide që vjen nga Lëvizja Demokratike që të ndryshojë edhe ligji për qeverinë dhe aty në mënyrë taksative të shënohet që 40 për qind te jenë ministre, këshilltare, drejtorë.”- tha Mexhiti.