Kryetari i Lëvizjes Demokratike, Izet Mexhiti, i është përgjigjur zv.kryeministrit Artan Grubi, i cili në një intervistë televizive atë e quajti “baba” i opozitës shqiptare. Në një intervistë për gazetën LAJM, Mexhiti tha se këto tentativa të Grubit për ta përçarë opozitën shqiptare, nuk do të kalojnë, ndërsa u shpreh i bindur se pas zgjedhjeve ,“baba” i opozitës shqiptare do të jetë pikërisht Grubi.
“Nëse e shikoni, BDI është e hutuar. Nga kandidimi i Ahmetit, nga lajmi i madh dhe kur e shikojnë që nuk ju dhezi kjo te qytetari, nuk mund të kalon vetëm në atë PR i krizës, atëherë shpresa e fundit e BDI-së dhe Artanit është që ta përçajë opozitën shqiptare. Unë i them mos të lodhet kot në këtë drejtim, sepse nuk jemi bashkuar për pozita, për numra, për ngjyra. Neve na ka bashkuar platforma, platforma e cila do të jetë platformë deri në vitin 2030, për ta marrë RMV-në dhe për ta çuar deri në fund hapjen e kapitujve, luftë kundër korrupsionit, reforma të thella, ndryshimin e Kushtetutës. Të kota janë tentimet e Artanit në këtë drejtim se kush është “baba” i opozitës. Le të fillon prej tash të lufton se kush do të jetë “baba” i opozitës prej 9 majit, këtë pozitë do ja falim”, tha Mexhiti për gazetën LAJM.