Publikohet propozimi i kryeministrit Rama për marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë

Një propozim i kryeministrit të Shqipërisë, Edi Ramës, për arritjen e një marrëveshjeje mes Kosovës dhe Serbisë, tashmë është bërë publik, në një verzion të saj të cilin e ka prezantuar televizioni Klan.

Propozimi me titullin “Projekt – statuti për bashkësinë e komunave me shumisë serbe”, kryeministri Rama ua dërgoi presidentit francez, Emmanuel Macron dhe kancelarit gjerman, Olaf Scholz më 7 qershor të këtij viti.

Ai përmban kornizat, kontekstin ligjor dhe politik, projekt-statutet e ndryshme, vijat e kuqe të palëve dhe parimet e hartimit.

Tre janë objektivat kryesorë.

“Implementimi i Marrëveshjes Bazë të vitit 2013, ratifikuar nga Kosova dhe i Marrëveshjes së 2015-ës.

Krimi i një kornize për vetëmenaxhimin me autonomi thelbësore për komunitetin serb të Kosovës.

Mbrojtje e dyfishtë”.

Katër janë parimet kryesore.

“Statuti përcakton kompetencat, organizimin dhe mënyrën e funksionimit të trupës.

Statuti i dërgohet për vlerësim Gjykatës Kushtetuese.

Asociacioni nuk duhet të zëvendësojë, t’í mbivendoset osë të reduktojë të drejtat e asnjë prej komuniteteve me banim në këto komuna.

Pjesëmarrja vullnetare është e hapur së pari për bashkitë me shumicë serbe”.

Ndër kompetencat kryesore janë bashkëpunim dhe bashkëveprimi ndërkomunal, promovimi dhe mbrojtja e të drejtave dhe interesave të komunitetit serb në Kosovë pa paragjykime ndaj komuniteteve të tjera, menaxhimi i institucioneve lokale të shëndetit dhe arsimit dhe hartimi i politikave që nxisin përparimin e demokracisë dhe angazhimit civil lokal.

Por si do të funksionojë kjo bashkësi komunash? Kryeministri Rama propozon këtë strukturë organizative.

“Struktura organizative, asambleja, Presidenti dhe zv/presidenti, Bordi, grupi këshillues, administrata, zyra e ankesave”.

Përsa i përket marrëdhënieve me autoritetet qëndrore, në propozimin e Kryeministrit Rama parashikohen këto sugjerime.

“Bashkësia nuk duhet të zëvendësojë apo minojë marrëdhëniet kushtetuese dhe ligjore mes autoriteteve qëndrore dhe lokale në Kosovë.

Dy vitet e para pas nisjes nga puna, bashkësia do të monitorohet nga Bashkimi Europian

Bashkësia mund të hartojë këshilla dhe ekspertizë teknike në hartimin e legjislacionit, siç bën Këshilli Konsultativ për Komunitetet”.

Drafti është pranuar nga të dyja palët, si nga pala serbe ashtu edhe nga pala kosovare, që fillimisht e kundërshtoi atë nëpërmjet Kryeministrit Kurti, por duket që presioni ndërkombëtar ka bërë që pala kosovare ta pranojë këtë propozim të Kryeministrit Rama.

“Të dyja palët thanë se projekt-dokumenti mund të shërbejë si dokument i përshtatshëm pune.

Kosova ka ngritur disa çështje, paraqiti disa papërputhshmëri me Kushtetutën e Kosovës dhe dokumente të tjera. Serbia njoftoi se kishte disa pyetje dhe shqetësime pa theksuar kundërshti të veçanta”.

Në përfundim të draftit thuhet se ai ka marrë edhe mbështetjen e partnerëve kryesorë ndërkombëtarë.

“Draft-Statuti mbështetet nga Gjermania, Franca, Italia dhe Shtetet e Bashkuara. Draft-Statuti nuk shkel asnjë vijë të kuqe të Kosovës. Draft-Statuti ve në dukje prioritetet kryesore të Serbisë”.