Qeveria në Gaza: 6 mijë të plagosur duhet të trajtohen urgjentisht jashtë rajonit

Qeveria në Gaza njoftoi se nën hijen e katastrofës humanitare për shkak të sulmeve dhe bllokadës së Izraelit, 6 mijë të plagosur duhet të nxirren urgjentisht për trajtim jashtë Gazës, transmeton Anadolu.

Në një deklaratë nga Zyra për media e qeverisë në Gaza, informohet lidhur me “situatën katastrofike” në të cilën ndodhet sektori shëndetësor për shkak të sulmeve të Izraelit që vazhdojnë që nga 7 tetori e deri më tani. Në Rripin e Gazës 30 spitale janë jashtë funksionit, thuhet në deklaratën në të cilën vihet theksi se si pasojë e sulmeve izraelite që nga 7 tetori e deri më tani janë plagosur mbi 58 mijë njerëz.

Në deklaratën ku tërhiqet vëmendja se situata e 6 mijë të plagosurve është kritike thuhet: “U bëjmë thirrje vëllezërve tanë egjiptianë që të hapin urgjentisht pikën kufitare Rafah dhe të miratojnë transferimin menjëherë jashtë Gazës për trajtimin e 6 mijë të plagosurve që ndodhen në situatë kritike pasi spitalet në Rripin e Gazës janë të pamjaftueshëm për ndërhyrje ndaj kaq të plagosurve”.

Më tej thuhet se në ditë lejohet transferimi i vetëm 10 deri në 20 të plagosurve dhe se kjo rrit vështirësitë me të cilat përballen palestinezët e plagosur, numri i të cilëve rritet dita ditës me nga njëqind e njëqind. Gjithashtu i bëhet thirrje komunitetit ndërkombëtar dhe SHBA-që që të ushtrojnë presion mbi Izraelin për të ndaluar “luftën gjenocidale” që forcat izraelite po kryejnë kundër popullit të pambrojtur palestinez.

Në deklaratën e Ministrisë së Shëndetësisë në Gaza thuhet se Izraeli ka tentuar të lë jashtë shërbimit spitalin “Dëshmorët e Aksa”-së në qytetin Deir Al-Balah në pjesën qendrore të Rripit të Gazës, duke e shënjestruar atë me mjete ajrore pa pilot.