Shitjet globale të makinave elektrike rriten me 21% , Kina shënon zgjerimin më të madh gjatë këtij viti

Shitjet globale vjetore të automjeteve plotësisht elektrike dhe hibride u rritën me 21% në korrik, falë rritjes më të fortë të Kinës këtë vit dhe pavarësisht rënies së kërkesës në Evropë, njoftoi firma e kërkimit të tregut Rho Motion.

Në Bashkimin Evropian, MG Motor, në pronësi të SAIC Motor të Kinës, do të goditet më së shumti nga tarifat e përkohshme të vendosura për automjetet elektrike të importuara nga Kina.

Ndikimi i tarifave duhet të jetë më i vogël te Tesla, e cila mund të prodhojë në fabrikën e saj në Berlin, si dhe te gjiganti kinez BYD, prania e të cilit në Evropë mbetet e vogël.

Këto automjete të shitura në mbarë botën, qofshin plotësisht elektrike apo hibride, ishin 1.35 milionë në korrik, nga të cilat 0.88 milionë ishin në Kinë, ku u rritën me 31% nga viti në vit, treguan të dhënat.

Makinat hibride të shitura në Kinë në shtatë muajt e parë të 2024-ës u rritën me 70% nga viti i kaluar. BYD, prodhuesi më i madh i automjeteve elektrike në Kinë dhe në botë, raportoi në të njëjtën periudhë rritje prej 13% në shitjet e saj globale elektrike dhe 44% në ato hibride.

Në Evropë, shitjet mujore ranë me 7.8% në korrik, me shifrat e deritanishme në përputhje me vitin 2023. Në shtatë muajt deri në korrik, ato ranë me 12% në Gjermani, tregu më i madh i BE-së për këto automjete.

Në Shtetet e Bashkuara dhe Kanada, shitjet e automjeteve elektrike u rritën me 7.1% në korrik. Bashkimi Evropian vendosi në korrik tarifa të përkohshme për importet e makinave elektrike të prodhuara në Kinë. BYD përballet me detyrime prej 17.4%, Geely 19.9% ​​dhe SAIC 37.6%, sipas BE-së.