“Shkurtimi” i mundshëm i Seria A, klubët e mëdha janë pro

Sipas “La Gazzetta dello Sport”, klubet e mëdha të Italisë dhe presidenti i Lega Serie A, Lorenzo Kasini, filluan të hënën bisedimet jozyrtare mbi një shkurtim të mundshëm të Serie A nga 20 në 18 ekipe.

Diskutimi për riformësimin e ligës nuk ishte në rendin e ditës, prandaj bisedimet janë ende në një fazë paraprake, por debati do të vazhdojë gjatë javëve të ardhshme, ndoshta duke filluar nga 26 janari kur presidenti i FIGC, Gabriele Gravina do të marrë pjesë në asamblenë e Lega Serie A.

Mediumi italian shton se klubet më të mira italiane pajtohen që Seria A duhet të shkurtohet në 18 ekipe, sepse lista e ndeshjeve do të bëhet edhe më e ngarkuar në vitet e ardhshme me formatet e reja të Ligës së Kampionëve dhe Kupës së Botës për Klube nga vera e vitit 2025. Skuadrat kryesore të Serie A argumentojnë gjithashtu se Ligue 1 dhe Bundesliga aktualisht kanë 18 ekipe.

Nga ana tjetër, klubet e mesme dhe të vogla kanë frikë se një Serie A me 18 skuadra do ta bëjë më sfiduese garën e mbijetesës dhe se reduktimi i skuadrave do të ndikonte financiarisht te të gjitha klubet, veçanërisht për sa i përket të drejtave televizive vendase. Klubet në favor të zvogëlimit të numrit të ekipeve të Serie A kanë nevojë për të paktën 14 vota favorizuese dhe ka shumë pak gjasa që ata të kenë një kuorum së shpejti.

Në të njëjtën kohë, presidenti i FIGC-së, Gravina po shtyn të riformojë futbollin italian duke reduktuar numrin e klubeve profesionale, i cili aktualisht është 100 në Itali.