Spektakël dhe rezultate befasuese në NBA

Spektakël dhe rezultate surprizë dhuruan ndeshjet e radhës në kampionatin e basketbollit amerikan, NBA. Boston Seltiks duket se la pas humbjen e papritur ndaj Sharlotit dhe u rikthye te suksesi duke mposhtur më shifrat 119-116 Miluoki Baks. Shkëlqyen mbi parket dyshja e Buks Lopez-Lilliard me 55 pikë në total, ndërkohë që për 17 herë kampionët e NBA, vendimtar ishte basketbollisti Xhejlen Braun, autor i 27 pikëve.

Në ndeshjen tjetër të mbrëmjes, Los Angeles Lejkers u rikthye te humbja pas 3 fitoreve radhazi. Në ndeshjen e luajtur në “Crypto Arena”, vendasit nuk bënë dot më shumë ndaj Dallas Maverik, me rezultatin final 104-101 në favor të miqve. Që në fillim të duelit, Maveriks krijoi një distancë të konsiderueshme ndaj Lejkersit. Pjesa e parë e përballjes u mbyll në shifrat 46-62. Pas pauzës, ndeshja u bë me e bukur. Sidomos në periodën e fundit ku avantazhi u ngushtua shumë.

Pavarësisht sfidës së mirë të LeBron XHejmsit, Lejkersi nuk përmbysi dot rezultatin. Luka Donçiç ishte protagonist kryesor me 30 pikë dhe 12 topa në tabelë. Pas kësaj fitoreje, Dallasi mbetet ne vendin e katërt në renditjen e Konferencës së Perëndimit, ndërsa Lejkers duhet të kënaqet vetëm me pozitën e shtatë në klasifikim.

Në sfidat e tjera, kampionët në fuqi të Denver Nagets u mposhtën 124-119 nga Orlando Mexhik. Toronto Reptors triumfoi ndaj Indianës në transfertë me rezultatin 132-131.