VLEN: A është BDI-ja e gatshme të shkaktojë krizë politike për të mos e pranuar humbjen e sigurt?

Një sërë lëvizjesh simptomatike të kryesisë së BDI-së bashkë me Raportin e ODIHR-së mbi rreziqet potenciale për zgjedhjet, që do të jetë temë në Austri në takimin e Gabriel Eskobarit me OSBE-në, na jep të drejtën të dyshojmë në qëllimet e humbësve të dëshpëruar, të cilët më 8 maj do të duhet të kalojnë në opozitë pas 20 viteve. Këtu është kronologjia e qëndrimeve të tyre skajshmërisht simptomatike. Së pari, Ali Ahmeti deklaroi në shkurt në Kosovë se tani nuk është koha për president shqiptar. Së dyti, Artan Grubi, kur BDI-ja u bë e vetëdijshme se nuk mund të gjejnë mënyrë ta pengojnë VLEN-in të ketë kandidat presidencial, publikoi në Fejsbuk “Vetëm Ali Ahmeti”, duke aluduar se ai do të jetë kandidati i tyre për president. Së treti, kur Arben Taravari njoftoi se do të bëhej kandidat për president i VLEN-it, Ali Ahmeti u frikësua se do të mposhtej dhe vendosi të sakrifikojë Bujar Osmanin me idenë e ndryshimeve kushtetuese për ndryshimin e zgjedhjes së presidentit dhe futjen e funksionit zëvendëskryetar, si kusht i BDI-së për çfarëdo koalicioni me partitë maqedonase. Më pas, në promovimin e Bujar Osmanit në Sallën “Kale”, Ali Ahmeti doli me tezën e katërt “Haxhi Pishmani”, përkatësisht e promovoi sloganin “Erdhi koha për presidentin e parë shqiptar”.

Asnjëherë më parë BDI-ja nuk është dukur më e hutuar dhe më e frikësuar. Duke u nisur nga fjala e urtë popullore se “i mbyturi kapet për fije kashte”, duke e marrë parasysh Raportin e ODIHR-së që parashikon jostabilitet të mundshëm dhe zgjedhje të pasigurta, kemi të drejtë të dyshojmë se BDI-ja është e gatshme të shkaktojë krizë politike për të mos e pranuar humbjen e sigurt që vjen. Nuk duhet të anashkalojmë se kandidati për president i BDI-së deri dje ishte kryesues i OSBE-së dhe kishte ose duhej të kishte qasje dhe të ketë marrë pjesë në hartimin e këtij Raporti. BDI-ja nuk ka të drejtë të flasë për Presidentin e Parë Shqiptar, sepse në vend që të mbështesë Arben Taravarin, vendosi që ta sabotojë mundësinë që kjo të ndodhë tani menjëherë, në vitin 2024.

Askush nuk mund ta ndalë rrugën e ndryshimeve që i dëshiron populli shqiptar dhe ato do të ndodhin. VLEN-i do të formojë Qeverinë e ardhëshme, fitorja është e sigurt. Thirrja për qytetarët është që të votojnë në mënyrë masovike dhe të zgjedhin 20 deputetë të VLEN-it për të bërë atë që BDI-ja nuk e bëri për 20 vjet. Ne do të jemi faktori kryesor në përmbushjen e anëtarësimit të plotfuqishëm në BE dhe garantuesi për rrugën strategjike të vendit. Ndërsa për të gjitha skandalet korruptive të një pjese të kryesisë së BDI-së do të ketë përgjegjësi.