VLEN më 6 maj në sheshin e Tetovës, Fronti heq dorë

Zëdhënësi i Shtabit zgjedhor të Frontit Europian, Arbër Ademi në një deklaratë për media ka theksuar se tubimi përmbyllës për zgjedhjet parlamentare i Frontit Europian do të mbahet me 05 Maj, 2024 në “sheshin Iliria” në Tetovë me fillim në ora 20:00.

Dhe jo siç ishte paralajmëruar më 6 maj dhe që ishin shkaktuar përplasje me koalicionin opozitar shqiptar VLEN.

“Marrë parasysh që opozita shqiptare me ngulm tenton të krijoj tensione, kërkon të kërkoj probleme ndër shqiptarët, ne si parti më e madhe që kemi bërë thirrje për maturi për ti evituar të gjitha problemet, dhe ne si shtab kemi vendosur që tubimi përmbyllës ta zhvendosim një ditë më para jo me 6 maj por më 5 Maj”, tha mes tjerash Arbër Ademi.

Kryetari i Lëvizjes BESA, Bilall Kasami deklaroi sot se VLEN nuk heq dorë dhe se në bazë të gjitha rregullave ligjore të parët kanë rezervuar mbajtjen e tubimit përmbyllës më 6 maj në sheshin “Iliria” në Tetovë.

“Patjetër që do të mbahet, ne përfundimisht vlerësojmë që në këtë shtet duhet të vlejnë ligjet për të gjithë. Nuk është Artan Grubi ai që përcakton se kush dhe kur do të mbajë tubime parazgjedhore. Nuk jemi në shtet policor. Edhe me këtë veprim Artan Grubi dhe BDI dëshmojnë se janë me mendësinë e Putinit, me mendësinë e Rusisë. Ata kanë kërkuar leje në polici, ligji nuk përcakton që tubimet të marrin leje apo organizatorët e tubimeve të marrin leje në polici, ligji përcakton që me hapësirat publike menaxhojnë komunat. Koalicioni VLEN ka kërkuar në afat kërkesë në Komunën e Tetovës për të shfrytëzuar sheshin e Tetovës ka marr përgjigje pozitive, pas koalicioni VLEN është drejtuar dhe koalicioni i BDI-së, të cilët i kemi informuar se në atë kohë të cilën ata e kërkojnë, Sheshi i Tetovës është i zënë, dhe nuk mund të jepet në shfrytëzim në bazë të ligjit gjithashtu kemi informuar edhe policinë e Tetovës se cili organizator ka leje nga Komuna si menaxhuese me hapësirat publike për organizimin e tubimit përfundimtar me 6 maj”, tha Kasami. (INA)