Asnjë zgjidhje për paralelet shqipe në Idrizovë, prindërit: Komuna kushtëzon me mësim online
Asnjë zgjidhje për paralelet shqipe në Idrizovë, prindërit: Komuna kushtëzon me mësim online
Inspektorati shtetëror i Arsimit, javën që vjen, sërish do të kryej kontroll në shkollën fillore “Njegosh” të Komunës Gazi Babë të Shkupit. Sipas Inspektoratit, kontrolli duhet të konfirmojë nëse drejtuesit e shkollës “Njegosh” kanë dorëzuar kërkesën për hapjen e paraleles shqipe për 13 nxënësit shqiptar të Idrizovës. Në rast se nuk është ndërmarrë asgjë, nga Inspektorati paralajmërojnë edhe gjoba për institucionet përkatëse. Ndërkohë, prindërit të revoltuar thonë se Komuna e Gazi Babës qëllimisht nuk dëshiron të zgjidh këtë problem pavarësisht që në shkollë ka hapësira të mjaftueshme, ashtu siç ka konfirmuar edhe Inspektorati i Arsimit. Pas takimit të sotëm në Komunë, prindërve u është ofruar që fëmijët të ndjekin mësimin online.
“Ne nuk pajtohemi me ato që na tha Bobani i komunës së Gazi Babës, që na tha online me mësu. Ne dëshirojmë me mësu në shkollë, sikur të gjithë edhe ne. Fëmijët janë në shtëpi, dëshirojnë të mësojnë po nuk munden. Mblidhen fëmijët nëpër shtëpi edhe aty po mësojnë”, tha një prind.
“Më duket se nuk do të realizohet asgjë prej Bobanit. Ne kërkojmë shkollë të ndërtohet, ata na gënjejnë me vite e tash na propozojnë online me mësu. Unë I thash kryetarit të komunës se si prindërit maqedonas dëshirojnë ti dërgojnë në shkollë afër ashtu dëshirojmë edhe ne, asgjë tjetër nuk kërkojmë, le të shkojnë të mësojnë. Nëse nuk ju pengon deri të pestën të mësojnë shqip përse ju pengon deri të nëntën”, deklaroi një prind.
Këshilli i prindërve këmbëngul që Ministria e Arsimit t’ia merr kompetencat komunës së Gazi Babës, në të kundërtën do të detyrohen të futen në shkollë.
“Kryetari i komunës na dha propozim për online mësim, ne nuk e pranuam. Ai, pastaj tha, ne e kuptuam si kërcënim, atë ditë që nxënësit I bëjnë 60 ditë që nuk janë në mësim, nëse protestojnë nxënësit 60 ditë, tha ju do të dënoheni. Ne, nga ministri I Arsimit kërkojmë ose t’ia merr kompetencat ose do të detyrohemi të futemi në shkollë se fëmijët e tanë me të vërtet janë duke humbur. Ne më nuk kemi kushte t’I mësojmë, po vijnë fëmijët po mësojnë te unë tre herë në javë”, shtoi një prind.
Nga Komuna e Gazi Babës nuk dhanë detaje nga takimi I sotëm por thanë se po punojnë në zgjidhjen afatgjate, ndërtimin e shkollës së re në Idrizovë. 13 nxënësit shqiptar të Idrizovës akoma nuk kanë nisur klasën e gjashtë në vitin e ri shkollor për shkak se në shkollën fillore “Njegosh” të Komunës Gazi Babë nuk realizohet mësimi shqip nga klasa e gjashtë deri atë të nëntë./alsat.mk