Bashke

Fronti opozitar shqiptar: A i keni treguar zonjës Von Der Leyen për aventurën e kthimit të Gruevskit?

Përshëndesim vizitën e Kryetares së Komisionit Evropian, znj. Von Der Leyen, e cila po bën të gjitha përpjekjet për të përshpejtuar integrimin e plotë të Maqedonisë së Veriut në BE. Me vëmendje të veçantë dëgjuam mesazhet e saj për domosdoshmërinë e reformave të brendshme radikale në të gjitha sferat, me fokus përballjen e korrupsionit të lartë. Ne përgjithësisht ndajmë rekomandimet e saj. Në fund të fundit, këto janë edhe angazhimet tona që i përsërisim vazhdimisht dhe për të cilat ofrojmë zgjidhje dhe politika efikase.

 

Sot jemi këtu para Qeverisë, sepse e dimë se problemi më i madh për anëtarësimin tonë të plotë në BE është këtu, në këtë objekt. Prandaj, sot shfrytëzojmë rastin të bëjmë pyetjet e mëposhtme:

 

A i keni treguar zonjës Von Der Leyen për aventurën e kthimit të Gruevskit? Dhe a i shpjeguat se shpresa kryesore, natyrisht e rreme për BE-në, u bë politikani që më së shumti e largoi vendin nga BE-ja gjatë kohës që ai ishte kryeministër? A ia shpjeguat se në fakt BDI është tërhequr nga ndryshimet kushtetuese? A i thatë se fokusi i vetëm i BDI-së është të bëj përpjekje që përmes kthimit të Gruevskit të bëjë Pazar me VMRO-DPMNE-në, ku do të sjellë në tryezë edhe deputetët e LSDM-së? A e mori vesh zonja Von Der Leyen se BDI po kërkon një Qeveri të zgjeruar pas zgjedhjeve parlamentare për të ruajtur kapitalin e fituar ilegalisht?

 

Ndryshimet në Kodin Penal që mundësoi amnistinë e shumë ish-zyrtarëve përmes keqpërdorimit të flamurit të BE-së është konfirmimi më i mirë se BDI-ja keqpërdor integrimin evropian si mbulesë për biznese personale dhe interesa të ngushta partiake.

 

Shqiptarët nuk do ta falin kurrë flirtin e BDI-së me Nikolla Gruevskin, i cili i shkaktoi dëm të madh popullit tonë. Në zgjedhje, kurdo që ato të mbahen, pason dënimi i BDI-së.

Bashkim Hasani,

Fronti opozitar shqiptar

AlternAtivA

Lëvizja Besa

Lëvizja Demokratike

Ju gjithashtu mund të pëlqeni

Kjo faqe interneti përdor cookie për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni në rregull me këtë, por ju mund të tërhiqeni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më shumë