Lidhja Europiane për Ndryshim: Kryetari i Kuvendit të veprojë në bazë të kushtetutës, të zgjidhet anëtari i opozitës në KSHZ
Konkursi për zgjedhjen e anëtarit të Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve tashmë është mbyllur dhe kryetari i Kuvendit, z. Talat Xhaferi po ashtu është i njoftuar se kandidat i Lidhjes Europiane për Ndryshim është z. Abdush Demiri. Pasi kanë kaluar 24 orë që kur kreu i Kuvendit është njoftuar përmes letrës zyrtare, kërkojmë që të veprojë sa më shpejtë në suaza të Kushtetutës dhe Ligjeve përkatëse të cilat theksojnë qartë se opozita duhet të ketë përfaqësuesin e saj në Komisionin Shtetëror të Zgjedhjeve.
Veprimi adekuat i kryetarit të Kuvendit do të dëshmojë se pushteti dëshiron që zgjedhjet e ardhshme të jenë fer, demokratike dhe transparente. Në të kundërtën do të kuptohet se Pushteti, pjesë e të cilës është edhe kryetari i Kuvendit, po përgatitet që zgjedhjet e ardhshme të jenë të manipuluara, jo-demokratike dhe pa përfaqësues të opozitës shqiptare. Kjo kuptohet se do të ndikojë negativisht edhe para institucioneve ndërkombëtare dhe në procesion eurointegrues të vendit.
Indicie të para për manipulim të zgjedhjeve veçmë janë dhënë nga ministri i Punëve të Jashtme Bujar Osmani i cili si kryesues me OSBE-në ka tentuar të ndikojë të ulë numrin e vëzhguesve të këtij institucioni kaq të rëndësishëm ndërkombëtar i cili mbikëqyr dhe vlerëson proceset zgjedhore.
Po ashtu njoftojmë opinionin dhe krerët shtetëror, se nëse përpiqen që të mbajnë plotësisht nën kontroll KSHZ-në dhe ta lënë pa përfaqësues të opozitës shqiptare, në këtë rast të Lidhjes Europiane për Ndryshim, atëherë ne nga java e ardhshme do të informojmë të gjitha institucionet ndërkombëtare, ambasadat e vendeve mike si atë të SHBA-së, BE-së por edhe të vendeve tjera evropiane.
Shpresojmë që pushteti do ta vendos interesin shtetëror para interesit partiak dhe personal.