Bashke

Lidhja Europiane për Ndryshim: Stevo Pendarovski e përfundoi mandatin në mënyrën më të padëshiruar

Ashtu siç e dinë qytetarët, presidenti Pendarovski gjatë gjithë kohës e ka mbajtur veten si president i të gjithëve, por që realisht ka lënë shumë për të dëshiruar që ta meritojë këtë atribut.

E kemi dëgjuar presidentin Pendarovski të flasë shumë herë për vlera multietnike, por kur duhej të dëshmohej se beson vërtet në ato vlera, e dëshmoi të kundërtën.

Ai reagoi ashpër kundër himnit e flamurit shqipar në tubimet e shqiptarëve, madje nuk hezitoi ta quajë shovinist një veprim të tillë, por nuk e dëgjuam askund të reagojë kundër ndonjë veprimi të vërtetë shovinist, siç ishin së fundi protestat dhe rezistenca për hapjen e paraleleve shqipe në Komunën e Çashkës.

E dëgjuam të flasë me qindra herë kundër korrupsionit, por heshtja dhe mosinteresimi i tij për zgjerimin e listës së zezë me funksionarë nga Maqedonia e Veriut, aq më tepër dekreti i tij në ndryshimet e Kodit Penal, duke e amnistuar krimin dhe korrupsionin shtetëror, e bënë që më shumë t’i përngjasojë paraardhësit të tij sesa një presidenti që qëndron në ballë të luftës kundër korrupsionit.

E dëgjuam të flasë për vlera demokratike dhe integrim, por nuk i’a dëgjuam zërin të thotë një fjalë për çështjen e anëtarit të opozitës në KSHZ, që është fundament për zgjedhje të lira dhe demokratike. Ai heshti edhe ndaj raportit skandaloz të progresit për RMV-në, si dhe ndaj kritikave të Komisionit Europian për keqpërdorim të flamurit të BE-së, që flet shumë për integrimin e vendit në BE. Ai ka pasur plot fjalë për drejtësinë, por ka heshtur ndaj presionit që i bëhet Kryetares së Gjykatës Supreme.
Ajo që ai i detyrohet për shpjegim qytetarëve është se në zyrën e tij janë thurur planet për kthimin e Gruevskit dhe ai këtë e ka mbajtur të fshehur nga qytetarët. Përveç kësaj, ai duhet ta shpjegojë edhe pozicionin e tij kundrejt mbështetjes së Aleksandar Vuçiqit në zgjedhjet në Serbi, që paraqet problem jashtëzakonisht të madh për shqiptarët në Maqedoninë e Veriut.

Si përfundim mund të themi se, në fund të mandatit, presidenti Pendarovski ishte një president me deklarata mirë të ambalazhuara, por mbetet pa rezultate dhe i dështuar në praktikë.
Krejt kjo na bind se ai nuk e ka merituar ta dëgjojmë sot. Kjo është edhe një arsye të deklarohemi se Lidhja Europiane për Ndryshim do të kandidojë një kandidat të saj në zgjedhjet presidenciale, ndërsa ne e kemi të qartë se pse BDI-ja vazhdon të fshihet pas kandidatit të LSDM-së – ata e kanë të qartë se populli ka për t’i ndëshkuar bashkërisht në zgjedhje.

Ju gjithashtu mund të pëlqeni

Kjo faqe interneti përdor cookie për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni në rregull me këtë, por ju mund të tërhiqeni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më shumë