Morën vërejtje nga Brukseli për përdorimin flamurit të BE-së në propozim-Ligjin për lojërat e fatit – Pse Qeveria e mbajti këtë të fshehur?
Qeveria ka qenë e njoftuar me vërejtjet e Brukselit lidhur me përdorimin flamurit të BE-së në propozim-Ligjin për lojërat e fatit, por një fakt të tillë organi ekzekutiv ka vendosur ta mbaj të heshtur, shkruan Alsat.
Presidenti Stevo Pendarovski i cili ditë më parë refuzoi nënshkrimin e dekretit për lojërat e fatit tha se Qeveria është alarmuar nga Komisioni Evropian për keqpërdorimin e këtij mekanizmi, por përsëri e ka proceduar propozimin deri në miratim.
“Para një muaji, Komisioni Evropian i ka dërguar njoftim Qeverisë në të cilën është theksuar se në Kuvend në procedurë për miratim ka një ligj në të cilin praktikisht është duke u keqpërdorur flamuri i BE-së sepse një direktivë të tillë Evropiane nuk ka. Por pavarësisht kësaj, deputetët shkuan deri në fund dhe e miratuan. Para disa ditëve, ambasadori Gir ishte te unë dhe më tha se kjo është vazhdimësi e serisë së keqpërdorimeve të flamurit të BE-së. Askush nuk e konteston a është ligji i mirë ose i keq. Nuk guxon të keqpërdoret flamuri i BE-së. Nëse duam të shkojmë në Evropë, para se të bëhemi vend anëtarë, duhet të sillemi si Evropian”, tha Stevo Pendarovski, President.
Akuzave të BDI-së se Pendarovski është kundër mbylljes se kazinove dhe se arsyetimi për mos dekretimin është përrall e mbas darkës, i pari i shteti iu përgjigj me qëndrimin e Brukselit.
“Unë nuk mendoj se një njoftim në formë të shkruar i ardhur nga Brukseli në një vend kandidat për vend anëtarë i BE-së është përrallë për fëmijë. Sipas meje kjo është një vërejtje serioze të cilën nuk guxojmë assesi ta përsërisim në të ardhmen”, u shpreh Stevo Pendarovski, President.
BDI ditë më parë vendimin e Pendarovskit e cilësoi si “përrallë mbas darke” duke thelsuar se ky subjekt nuk do të dorëzohet nga beteja sipas tyre për të miratimin e këtij ligji.
Zëvendëskryeministri Artan Grubi e ka cilësuar si vendim për keqardhje duke e akuzuar presidentin se po mban qëndrim kundër mbylljes së bastoreve dhe kazinove.
Në fakt dispozitat ligjore nuk parashikojnë mbylljen e tyre, por distancimin nga objektet shkollore dhe fetare si dhe rregullimin e kontrollit të industrisë përmes shoqërive aksionare të cilat para propozimit të ligjit u formuan me vendim të Qeverisë. / Alsat.mk