MPJD konfirmon mbërritjen e trupit të pajetë të Faton Hajrizit: Po kryhen procedurat e mëtejshme mjeko-ligjore
Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës ka njoftuar zyrtarisht se trupi i pajetë i Faton Hajrizit tashmë ka mbërritur në Kosovë.
MPJD njofton se institucionet përkatëse po kryejnë procedurat e mëtejshme mjeko-ligjore për identifikimin dhe verifikimin e tij, transmeton Telegrafi.
“Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës njofton opinionin publik që trupi i pajetë i qytetarit të Kosovës, i raportuar si i vrarë në Lloznicë të Serbisë, tashmë ka mbërritur në Kosovë. Pas mbërritjes së trupit të pajetë të shtetasit të Kosovës, institucionet përkatëse të Republikës së Kosovës po kryejnë procedurat e mëtejshme mjeko-ligjore për identifikimin dhe verifikimin e tij”, thuhet në njoftimin e tyre.
Lidhur me rastin, në orët e hershme të mëngjesit ka folur edhe avokati i familjes Hajrizi, Arianit Koci.
“Trupi i është dorëzuar Instituti të Mjekësisë Ligjore, Prokurorit dhe Policisë, ata vazhdojnë me procedurat e mëtejmë. Të gjitha dokumentet që i kam marrë ia kam dorëzuar para prokurorisë”, u shpreh Koci para mediave.
Ndryshe, Faton Hajrizi u vra më 19 korrik në afërsi të kufirit mes Serbisë dhe Bosnjës. Një ditë më herët, ai dyshohet se ka vrarë një polic serb dhe ka plagosur një tjetër.