Me nënshkrimin e deklaratës së bashkëpunimit mes liderëve të opozitës shqiptare, Bilall Kasamit të Lëvizjes Besa, Izet Mexhitit të Lëvizjes Demokratike, Arben Taravarit të Aleancës për Shqiptaret , Afrim Gashit të Alternatives dhe përfaqësuesit të Vetëvendosjes Bekim Qokut, nga sot u zyrtarizua edhe bashkëpunimi për të garuar bashkërisht në zgjedhjet e ardhshme parlamentare dhe presidenciale.
Në fjalimin e tij kreu i ASH-së, Arben Taravari tha se betejën politike do ta zhvillojë kundër sistemit të kalbur, i cili për 22 vite i mërgoi dhe i nënçmoi shqiptarët. Ndërsa përfaqësuesi i Vetëvendosjes, Bekim Qoku tha se regjimi i BDI-së na ka ofruar vetëm dy opsione, të ikim ose të rrimë dhe të heshtim. Afrim Gashi nga Alternativa tha se nga kjo fitore e opozitës është tmerruar edhe Vuçiqi.
“Unë nuk dua të përmendi as kundërshtarë politik, ne do ta bëjmë betejën politike me një sistem të kalbur 22 vjeçar e cila i mërgoi shqiptaret, i nënçmoi në çdo aspekt, i prishi dhe i shkatërroi të gjithë sistemin e vlerave që ekzistonin të shqiptaret, prandaj kundërshtari jonë është sistemi i kalbur kurse ne jemi opozita e bashkuar”, deklaroi Arben Taravari – kryetar i Aleancës për Shqiptaret.
“Regjimi 22 vjeçar i udhëhequr nga BDI-ja, na ka ofruar vetëm dy opsionet e para, të ikim ose nëse vendosim të rrimë është mirë të heshtim, por ne nuk do heshtim sepse ne mendojmë se ia vlen të rrimë, ia vlen të luftojmë, ia vlen për t’i mbrojtur vatrat tona, dinjitetin tanë, ardhmërinë e fëmijëve tanë”, u shpreh Bekim Qoku – përfaqësuesi i Vetëvendosjes.
“E tash kur prej fitores na ndajnë më pak se tre muaj, nga kjo fitore është tmerruar edhe Vuçiqi, ky është një lajm i mirë se kështu po hapet një kapitull i ri i shpresës për mirëqenie, integrim, arsim cilësor dhe familje të shëndoshë, për shtet të konsoliduar ligjor”, tha Afrim Gashi – kryetar i Alternativës.
Bilall Kasami tha se VLEN do ti japë fund shpërdorimit të parave të shqiptarëve ndërsa Izet Mexhiti kërkoi që më 8 maj populli të sjell ndryshimin.
“ Po vjen ndryshimi i cili shqiptarëve do të ua kthejë dinjitetin, po vjen ndryshimi i cili do të ndaloje që me paratë e shqiptarëve të blihen Soravia, do të ndaloj të pasurohet Eurovia, do të ndaloj investimet në aparate për kazino dhe bastarë, ky ndryshim vlen sepse ne do të ngremë nivelin e arsimit në vend, do të rrisim standardin e qytetarëve”, shtoi Bilall Kasami – kryetar i Lëvizjes Besa.
“Më 8 maj do të lemë që populli të thotë fjalën e fundit dhe të vulosë ndryshimin e kamotshëm në mesin e shqiptarëve sepse ndryshimi është vetëm për demokraci.”(34:33) fitorja që po e synojmë, VLEN po vjen dhe më besoni ia vlen”, u shpreh Izet Mexhitit – kryetar i Lëvizjes Demokratike.
Me nënshkrimin e marrëveshjes nga ana e liderëve në këtë manifestim u zyrtarizua edhe bashkëpunimi për zgjedhjet parlamentare dhe ato presidenciale, ndërsa për zgjedhjet presidenciale, kandidat i opozitës është Arben Taravari. /Alsat.mk