Bashke

Taravari fton Kuvendin e partisë së tij të bëhen pjesë e LEN-it

Pas disa javësh konsultime e takime të shpeshta, brenda dhe jashtë subjektit që unë drejtoj, pas një reflektimi të thellë personal, ka ardhur koha që të shpalos publikisht qëndrimin tim, si kryetar partie përsa i përket zgjedhjeve parlamentare që po afrohen.

Duke marrë parasysh sugjerimet sa të vlefshme aq edhe dashamirëse të të gjithë miqve, antarëve dhe përkrahësve, kam zgjedhur të dëgjoj edhe zërin e popullit që sot po flet më qartë se kurrë.

Qytetari po kërkon Ndryshim! Populli po kërkon një sistem politik të çliruar nga epidemia e korrupsionit, që është bërë frenuesi më i madh për mirëqenien dhe zhvillimin e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut.

Në cilësinë e kryetarit të Aleancës për Shqiptarët, ftoj publikisht Kuvendin e partisë të më mbështesë në këtë rrugëtim dhe bashkë, t’i prijmë këtij procesi që unë e quaj Ndryshimi i Madh dhe i Shumëpritur!

Asnjëherë ky Ndryshim nuk ka qenë më i sigurtë dhe më i prekshëm. Askush nuk ka kredibilitet më të madh se Aleanca për t’a sjellur Këtë Ndryshim!

Ne jemi në rrugën tonë, jemi në rrugën e trasuar nga Arben Xhaferi. Kjo rrugë do të na çojë aty ku përkasim, në familjen e madhe evropiane, gjithnjë duke kultivuar aleancën tonë të përhershme me SHBA dhe NATO me të cilët ndajme të njejtin vizion dhe të njëjtat vlera.

Duke besuar pa lëkundje në bashkëpartiakët e mi dhe në vizionin tonë të përbashkët, kërkoj besimin e tyre që Aleanca për Shqiptarët të futet në garën zgjedhore me opozitën shqiptare, e bashkë më tej të bëjmë më të mirën për këtë vend!

Shumica e lexon historinë, por rrallë ka raste ku të jepet mundësia ta shkruash atë. Sot këtë Mundësi e kemi para nesh. Le të jemi ne ata që do e shkruajnë Historinë!

Sinqerisht Arben Taravari

Ju gjithashtu mund të pëlqeni

Kjo faqe interneti përdor cookie për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni në rregull me këtë, por ju mund të tërhiqeni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më shumë