Bashke

Taravari në debatin presidencial: Pas 23 vitesh po vjen ndryshimi historik për shqiptarët

 

 

Kandidati për presidenti i koalicionit VLEN, Arben Taravari në debatin presidencial tha se programi i tij bazohet në 4 shtylla kryesore, ndërsa në garë ka hyrë për ndryshim për shkak se, siç tha Taravari, shqiptarët kanë nevojë për ndryshim.

 

“Maqedonia është shtet ose shtëpi e të gjithë njerëzve që jetojnë këtu, është shtet multi-etnik dhe prandaj ekspertët të cilët e përgatitën bashkë me mua programin tim përgatitëm programin i cili bazohet në 4 shtylla kryesore. Integrimi në BE, siguria, shteti i së drejtës dhe demokracia konsensuale”, tha Taravari.

 

Sipas Taravarit, shqiptarët për më shumë se 23 vite e presin ndryshimin historik dhe se të rinjve duhet t’u jepen mundësi.

 

“Shqiptarët mezi e presin ndryshimin historik. 23 vjet pushtet është e tepërt dhe mendoj se një gjeneratë e re e politikanëve meriton që ta udhëheqë shtetin dhe t’i jepet një shans. Unë shoh të ri në strukturat tona partiake të cilët kanë kapacitete dhe atyre duhet t’u ofrohet mundësia ashtu siç iu ka ofruar mundësia z.Osmani”, tha Taravari.

 

Kandidati i koalicionit VLEN, Arben Taravari tha se ai është kandidati i vetëm shqiptar , por përveç votës shqiptare do të kërkojë mbështetje nga të gjitha etnitë dhe se këtë e ka bërë edhe në garat ku, siç tha ai, ka fituar në Komunën e Gostivarit dy herë radhazi, ndërsa kundërkandidati është në koalicion laraman.

 

“Programi im zgjedhor është në 4 gjuhë, në gjuhën shqipe, maqedonase, turke dhe angleze. Tani do të fillojë edhe shpërndarja e programit i cili po ashtu ndodhet në ueb-faqe. “E them me krenari se në të gjitha zgjedhjet ku kam garuar, në vitin 2017 dhe 2021 edhe kur kundërkandidati im nga BDI ka pasur koalicione me këto parti turke dhe rome, duhet ta dimë se çdo qytetar rom ose turk nuk është anëtar i një partie. Unë ju përgëzoj për koalicionet që keni bërë, mirëpo unë besoj se kredibiliteti i njeriut është shumë me rëndësi për ta fituar besimin e këtyre qytetarëve. Kam arritur që në komunën e Gostivarit të mbajmë një kohezion të brendshëm dhe ju garantoj se në qoftë se bëni një anketim në Komunën e Gostivarit, do ta shihni se percepcioni i qytetarëve është se kryetari i komunës është munduar të jetë i barabartë me të gjithë”, tha Taravari.

 

Në debat, në lidhje me çështjen e vetingut, Taravari tha se BDI asnjëherë nuk ka bërë hapa konkrete dhe se ka njerëz në listat për deptuetë, por edhe kryetarë komunash nga BDI, të cilët janë në lista të zeza të shteteve mike.

 

“Do të dëshiroja të pyes Bujarin pse deri sot për 23 vjet BDI që është në pushtet nuk ka miratuar ose propozuar ligj për veting dhe pse propozimi për masat përkufizuese për personat që janë në lista të zeza u ndal disi, në ndërkohë keni disa anëtarë të partive, por edhe njerëz në listën e deputetëve në BDI të cilët janë në listat e zeza të shteteve, të cilat i konsiderojmë mike”, tha Taravari.

Ju gjithashtu mund të pëlqeni

Kjo faqe interneti përdor cookie për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni në rregull me këtë, por ju mund të tërhiqeni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më shumë