Të nderuar të pranishëm
Zgjedhjet po afrohen. Bashkë me zgjedhjet edhe fundi i qeverisjes së kazinomenëve po afron. Prandaj edhe çorroditja e pushtetit, pangopësia dhe vrrulli për të grabitur sa më shumë që të munden nga paratë e qytetarëve ka dalë prej kontrollit!
Sot, jorastësisht jemi në Çarshinë e vjetër sepse është momenti i qëlluar për të ngritur alarmin se Çarshia, nga vatër kulturore, simbol i trashëgimisë dhe traditave të mira familjare, tregtare, të punës me nderë, të esnafit, nga vatër universitare, sot po rrezikon të kthehet në qendër kumari, bixhozi, dhe për pasojë, në qendër pasigurie, frike, simbol i të keqes. Sot jemi këtu që t’i thërrasim ndërgjegjes së pushtetarëve të pangopur se kazinot – që janë kthyer në simbol të këtij pushteti në ikje, ndërkohë që po mbushin xhepat e funksionarëve dhe familjeve të tyre, si sëmundje malinje po hanë dhe po rrënojnë familjet tona, rininë tonë, të ardhmen tonë!
Të nderuar, “ariu polar” vërtetë ka trokitur në dyert tona – por përmes parave dhe transakcioneve të pista të oligarkëve serbo – rusë, të cilët qëndrojnë prapa mega industrisë së kazinove dhe kumarit. A ka akoma dilema se përse shqetësohet Aleksandar Vuçiq për politikën shqiptare në Maqedoni?! Sot, teksa paradojnë nëpër vendbanimet shqiptare dhe kalldrëmin e Çarshisë, ne i rikujtojmë edhe njëherë publikisht se 6 milionë euro të shpenzuara për të forcuar edhe më shumë kazino industrinë përmes softuerit për “rrush e kumbulla” do të ishin 6 milionë euro më shumë për softuer për studentë, për digjitalizimi të arsimit pa libra, për rehabilitimin edhe më të madh të Çarshisë, për ndërtim rrugësh, çerdhesh, shkollash, bibliotekash, qendrash kulturore, e të ngjashme. Me këto 6 milionë euro të miratuara me nënshkrim të kujt tjetër pos kurbanit të Artan Grubit – Përparim Bajramit, shuma e investuar nga BDI- ja në kumar dhe bixhoz arrin në 46 MILIONË EURO për vetëm katër vite!!! Mos kini asnjë dilemë – prapa pohimit për “dislokimin e kazinove” në fakt fshihet vetëm strategjia e forcimit të mëtejmë të tyre, dhe vulosja e prezencës së tyre në jetët tona! Ndërkohë që po tentojnë të na mashtrojnë me gjoja planet për mbyllje tl kazinove, kazinomenët, të fshehur pas fasadës së flamurit europian, janë duke instaluar kumarin në secilën shtëpi – duke e bërë pjesë të kulturës sonë, pjesë të edukatës sonë, pjesë të mentalitetit tonë! Alarmi është ndezur – demontimi i këtij regjimi ka filluar dhe do të finalizohet më 24 prill dhe 8 maj!
Kjo pra është fytyra e vërtetë e BDI – së, e mbështjellur me fjalë të bukura, premtime të mëdha, dhe natyrisht, me shumë elemente kombëtare. Duke u thirrur në emër të kombit, në fakt po ndodh çkombëtarizimi më i madh dhe zhveshja nga traditat historike kombëtare të shqiptarëve vetëm e vetëm që të pasurohet Artan Grubi përmes kurbanit të tij Përparim Bajrami.
Të nderuar, nuk ka moment më të qëlluar për të testuar mbështetjen ndaj këtyre politikave dhe vendimeve. Për këtë janë zgjedhjet. Andaj, ftojmë publikisht dyshen Artan Grubi – Përparim Bajrami, të kapur dorë për dore, sup për supi, të dalin para popullit dhe në emër të kazinove të kërkojnë votën edhe mbështetjen e tyre. Legjitimiteti në demokraci buron nga vota e sovranit. E ku ka më mirë se sovrani t’ua japë përgjigjen ndaj politikave të kazinove, SORAVIA-s, LLOTARIA-s, EUROVIA-s, dhe shumë e shumë e shumë VIA-ve të tjera që po shkatërrojnë rininë tonë!
Ndryshimi ka filluar. Bashkë me ndryshimin po vjen edhe drejtësia dhe mos kini dilemë, do të trokasë me patjetër edhe në dyert tuaja.