Ish-legjenda e Liverpoolit tregon trajnerin favorit për ta zëvendësuar Kloppin

Ish-legjenda e Liverpoolit, Jamie Carragher, beson se Roberto De Zerbi është kandidati favorit për t’u bërë trajner i ekipit pasi raportimet e fundit sugjeruan se lëvizja e Ruben Amorim në ‘Anfield’ ka dështuar.

Me Jurgen Klopp që do të largohet nga posti i trajnerit në fund të sezonit duke i dhënë fund aventurës së tij nëntëvjeçare në Angli, ‘Të Kuqtë’ kanë intensifikuar përpjekjet e tyre për të gjetur trajnerin e ri.

Ruben Amorim i Sporting Lisbonës u besua gjerësisht se ishte kandidati kryesor për të pasuar Kloppin në stol, por The Athletic tani ka ‘hedhur ujë’ mbi ato spekulime, pasi një raport i ri e lidh 39-vjeçarin me një kalim në West Ham.

Kjo ka bërë që një numër i kandidatëve të lidhen me postin e trajnerit tek Liverpooli si Roberto De Zerbi, Arne Slot dhe Gary O’Neil.

Sidoqoftë, Carragher përmes platformës X ka ndarë opinionin e tij me publikun, duke përmendur De Zerbin si kandidatin më të mundshëm për të zëvendësuar Kloppin për një arsye specifike.

“Richard Hughes e deshi De Zerbin tek Bournemouthi, kështu që ai duhet të jetë favoriti nëse është e vërtetë”, ka thënë Carragher.

De Zerbi ka marrë vëmendjen e të gjithëve për shkak të stilit të tij ofanziv, gjë që ka bërë që Brightoni të kualifikohet në mesin e 16 më të mirave në Evropë për herë të parë.

Ai gjithashtu i siguroi Brightonit pozitën e gjashtë në tabelën e Ligës Premier sezonin që lamë pas.