Juventusi feston eliminimin e Milanit nga Liga e Kampionëve

Eliminimin e Milanit nga Liga e Kampionëve e feston edhe Juventusi, që aktualisht e sheh veten gjithnjë e më pranë sigurimit të një bilete për në Botërorin e klubeve, i planifikuar për t’u mbajtur në Shtetet e Bashkuara të Amerikës në verën e 2025-ës.

Nga skuadrat italiane, Interi e ka siguruar biletën edhe matematikisht për të marrë pjesë, pasi pozicionohet më mirë se çdo skuadër tjetër në renditjen 4-vjeçar të UEFA-s. Në vendin e dytë ndodhet Juventusi, që kërcënohej nga Milani dhe Lazio.

Juventusi ka 47 pikë në rankimin e 4-viteve të fundit dhe nuk ka mundësi ta përmirësojë rezultatin, pasi nuk luan në Europë, ndërsa Milani e mbylli me 41 pikë, por nëse do të kualifikohej në fazën e 1/8-ave të Championsit, do të kishte marrë edhe një bonus prej 4 pikësh, që do ta çonte në 45 pikë dhe më pas do t’i mjaftonte vetëm një fitore e një barazim për të parakaluar bardhezinjtë.

Aktualisht në garë ka mbetur vetëm Napoli, që ka shkuar në kuotën e 41 pikëve dhe i duhet të kapë gjysmëfinalet për të qenë e sigurt që do të parakalojë Juventusin. Një tjetër mënyrë që Napoli të mund të parakalojë bardhezinjtë, është të fitojë të dy ndeshjet e fazës së 1/8-ave dhe njërën nga sfidat çerekfinale, opsione këto që duken të vështira, nëse sheh listën e kundërshtarëve të mundshëm.

Në letër, shanse për të parakaluar Juventusin ka edhe Lazio, por vetëm nëse ia del të fitojë Ligën e Kampionëve, një mision ky thuajse i pamundur për kryeqytetasit. Kështu pas festës për eliminimin e Milanit, te Juventus shpresojnë edhe në kapitullimin e shpejtë të Napolit, për të marrë pjesë në kompeticionin që pritet t’u sigurojë nga 50 milionë euro klubeve.