Liga Evropa sjell “play off”-in, fituesit bashkohen me ekipet e para në grupe

Pas ndeshjeve të 1/8-tës në Ligën e Kampionëve gjatë të martës dhe mërkurës, e enjtja është e rezervuar për garën e dytë elitare evropiane të klubeve. Sot (e enjte) do të zhvillohen ndeshjet e fazës ‘play-off’ në Ligën Evropa, ku fituesit do t’i bashkohen në fazën e 1/8-tës, tetë ekipeve të para të grupeve.

Në këtë fazë të njohur si ‘play-off’ luajnë ekipet që kanë përfunduar në vendin e tretë të grupeve të Ligës së Kampionëve kundër ekipeve që kanë përfunduar në vendin e dytë në grupet e Ligës së Evropës.

Fituesit e këtyre ndeshjeve ‘play-off’ do të ballafaqohen me fituesit apo vendet e para të grupeve në një short të ri për ndeshjen e fazës së 1/8-tës.

Fejnord-Roma, Gallatasaraj-Sparta Praga, Shakhtar Donetsk-Marsej dhe Jang Bojs-Sporting Lisbona janë katër ndeshjet e para të ditës, pasi do të zhvillohen nga ora 18:45. Nga ora 21:00 do të zhvillohen edhe katër ndeshjet tjera: Milan-Ren, Benfika-Tulluz, Braga-Karabag dhe Lens-Frajburg.