Studentët në protesta, shprehën revoltin për mospagesën e bursave

Nga njëra anë studentet me parulla të ndryshme që kërkojnë të drejtat e tyre ndërsa nga ana tjetër forca të shumta policore para hyrjes së Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës.

Në protestën e organizuar nga unionet e studenteve u kërkua pagesa e bursave të cilat katër muaj janë vonuar, kuponët e transportit, dhe rikonstruksionin e konvikteve studentore.

“Kërkesat tona janë që të mos neglizhohen studentet dhe MASH-i të jetë më serioze ndaj kërkesave të studenteve, të kemi standard studentor më të lart, pagesa të rregullta dhe investime në infrastrukturën e konvikteve studentore që në qoftë se i shihni janë në gjendje të mjerueshme por studentet jetojnë në ato kushte dhe po ashtu kërkojmë që të kemi arsim më cilësor”, tha Blendi Hodai – nga Unioni i Studenteve.

Disa orë para se të fillonte protesta e paralajmëruar nga ana e studenteve, ministri i Arsimit në një status në rrjetet sociale njoftoi se të gjithë studentet të cilët i kanë plotësuar kushtet për vazhdim të bursës nga viti i kaluar si dhe pagesën retroaktive me marrëveshje i kanë në llogaritë e tyre. Ndërsa pikërisht pagesa e bursave para protestës ngjalli edhe reagime te studentet.

“Vetë vendimi që ministri Jeton Shaqiri sot t’i paguaj bursat para protestës tregon edhe njëherë për qasjen neglizhuese që e ka MASH-i ndaj studenteve dhe gabon kur mendon se para protestës mund të blihen studentet, duke i paguar për katër muaj për të cilën është dashur çdo muaj t’i paguaje bursat studentore”, u shpreh Blendi Hodai – nga Unioni i Studenteve.

Student të cilët kanë plotësuar kushtet e bursave janë mbi 3000, ndërsa nga ky numër 1500 janë student të rasteve sociale. Vlera e bursës për një student është 6000 denarë në muaj. /Alsat.mk