Do të ndërtohen dy shkolla të reja në Çair, Ganiu: Projekt rreth 2.5 milionë euro, financohet nga shoqatat joqeveritare
“Në lokacionin tek shkolla “Idnina” në Çair janë planifikuar të ndërtohen dy shkolla fillore të reja të cilat do të financohen nga shoqatat joqeveritare”, raporton Fazile Halili – gazetare TV21.
Me ndërtimin e këtyre shkollave, sipas kryetarit të Çairit Visar Ganiu, do të zgjidhet një problem i kamotshëm i qytetarëve të kësaj komune, pasi siç shton, çairasit më afër e kanë shkollën “Penko”, por ajo është nën kompetencat e komunës së Butelit, andaj shpesh mbingarkohet dhe krijohen probleme me regjistrimin e nxënësve.
“Aty do të ndërtohen dy shkolla njëra do të jetë me nevoja të veçanta dhe tjetra do të jetë themelimi i shkollës së re shkollës fillore e cila në këtë pjesë te Çairi i vjetër ka munguar shumë për shkak se në çdo shtator, mund të them lirisht se kemi shumë probleme për shkak se popullata logjikisht kërkojnë tek shkolla “Petar Zdravkovski – Penko” të regjistrohen, ndërsa ajo është në kufi me komunën e Çarit por menaxhohet dhe është në të territor të Komunës së Butelit”, deklaroi Visar Ganiu – kryetar i Komunës së Çairit.
Aktualisht klasat në shkollat fillore të Çairit janë të stërmbushura me nxënës, andaj hapja e shkollave të reja do të “çlirojë” klasat. Ganiu tregoi se projekti do të kushtojë rreth 2.5 milionë euro.
“Jemi në korrelacion me Ministrinë e Arsimit për shkak se e kemi marrë leje për të filluar këtë projekt, kjo do të financohet nga shoqatat joqeveritare nën ombrellën e Albizit, gjithashtu janë kyçur edhe USAID-i amerikan, kështu që do të jetë projekt i përbashkët Albizit, USAID-it dhe Komunës së Çairit”, shtoi kryetari i Komunës së Çairit, Visar Ganiu.
Shkollat do të jenë projekt i përbashkët, por me objekte të ndara të cilat do të jenë në oborrin e shkollës “Idnina” (Ardhmëria).