Skuadra përfaqësuese e Palestinës do të luante për herë të parë që nga viti 2019 një ndeshje në shtëpi, por konflikti me Izraelin bëri që ndeshja ndaj Australisë, e vlefshme për kualifikueset aziatike të Botërorit 2026, u zhvendos në Kuvajt.
Tifozët në stadium do të protestojnë kundër veprimeve ushtarake të Izraelit në Rripin e Gazës. Në minutën e shtatë të ndeshjes, do të valëvisin flamujt palestinezë për nisjen e luftës më 7 tetor (data kur Hamasi sulmoi Izraelin fillimisht). Në minutën e 13, tifozët do të ngrihen në këmbë dhe do t’i kthejnë kurrizin fushës, në shenjë proteste për mbi 13 000 personat e vrarë që nga nisja e sulmeve. Në minutën e 75, do të ngrenë duart dhe do t’i bashkojnë me njëri-tjetrin, në protestë për 75 vitet e pushtimit izraelit.
Në konferencën për shtyp para ndeshjes, trajneri i Palestinës, Makram Daboub, deklaroi se lojtarët e tij janë në një moment “shumë të vështirë”.
“Lojtarët rrinë me celular në dorë për të parë lajmet se çfarë po ndodh. Ata janë të motivuar për të gëzuar sadopak popullin palestinez”, deklaroi Makram.
Skuadra e Palestinës përbëhet më së shumti nga lojtarë që jetojnë në Evropë apo Amerikën e Jugut, ndërsa 3 prej tyre që banojnë në Gaza dhe që pritej të luanin këto eliminatore, nuk kanë mundur dot të dalin nga Gaza.