Bashke

Hidhet shorti i “UEFA Regions’ Cup”, Shqipëria njeh rivalët, FSHF mirëpret ndeshjet e Grupit A

Është hedhur këtë të enjte shorti i kompeticionit të UEFA-s “Regions’ Cup” 2024-25, për futbollin amator për të përcaktuar grupet për raundin para-eliminator dhe të ndërmjetëm ku merr pjesë për herë të parë edhe Shqipëria.

Kombëtarja shqiptare do të jetë pjesë e grupit A të raundit para-eliminator, së bashku me Armeninë e Estoninë, ndërsa lajmi tjetër i mirë është se të treja ekipet kanë rënë dakord që ndeshjet e këtij grupi do të zhvillohet në Shqipëri nën organizimin e Federatës Shqiptare të Futbollit.

Nëse arrin të kalojë këtë raund Shqipëria është shortuar në Grupin 5 të raundit të ndërmjetëm, ku do të ketë përballë Çekinë, Bosnje Hercegovinën dhe Skocinë.

Ndeshja e parë pritet të luhet më 20 maj, kurse të gjitha ndeshjet e raundit para-eliminator duhet të luhen deri më 31 korrik 2024. Kalendari ndërkohë do të përcaktohet menjëherë nga UEFA.

Të gjitha ndeshjet e raundit të ndërmjetëm duhet të luhen përpara datës 6 dhjetor 2024. Tetë fituesit e grupeve të raundit të ndërmjetëm do të kualifikohen për në finale – që do të zhvillohen, në parim, në dy javët e para të qershorit ose korrikut 2025.

Në këtë kompeticion marrin pjesë 36 ekipe kombëtare, ku 30 prej tyre do të nisin garën në raundin e ndërmjetëm ndërsa 6 të tjerat ku bën pjesë edhe Shqipëria do të marrin pjesë në raundin para-eliminator për të plotësuar dy vendet e mbetura të raundit të ndërmjetëm; ekipi që siguron vendin e parë në grupin A dhe ekipi që renditet i pari në grupin B.

Në raundin e ndërmjetëm do të marrin pjesë 32 skuadra (30 që hyjnë direkt në këtë raund dhe dy fituesit e raundit para-eliminator) që do të ndahen në katër vazo me nga tetë skuadra bazuar në koeficientët e tyre. Ekipet do të ndahen në tetë grupe me nga katër, secili me një ekip nga çdo vazo.

Futbolli amator është zhvilluar shumë vitet e fundit përmes kompeticioneve të ndryshme të organizuara nga FSHF, si Sunday League apo kampionati i futbollit 5×5. Për këtë arsye, FSHF vendosi të krijojë një ekip kombëtar dhe të marrë pjesë në turneun e organizuar nga UEFA.

Ju gjithashtu mund të pëlqeni

Kjo faqe interneti përdor cookie për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni në rregull me këtë, por ju mund të tërhiqeni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më shumë