Bashke

Osmani në Bruksel: Terroristët e Banjskës duhet të ndëshkohen, mund të sulmojnë Brukselin a Parisin

Presidentja Vjosa Osmani ka thënë se masat e vëna ndaj Kosovës nga ana e BE-së duhet të hiqen sepse vendi ka punuar shumë në deeskalimin e situatës në veri.

Këto komente, e para e shtetit i bëri në hyrje të Samitit BE-Ballkan Perëndimor në Bruksel që po mbahet sot.

Osmani tha se masat e vëna kanë lënë shumë projekte në gjysmë, projekte që kanë të bëjnë me ujin e pijshëm e mbeturinat, që shkon në dëm të të gjithë qytetarëve të vendit, pa dallim etnie.

Tutje, ajo tha se Kosova ka qenë viktimë e një akti agresioni më 24 shtator të këtij viti, “kur Serbia organizoi, orkestroi dhe financoi një sulm ndaj Republikës së Kosovës”.

“Ende po presim nga BE-ja të miratojë masa ndaj Serbisë për këtë sulm sepse duhet të ketë llogaridhënie, dhe mendoj se llogaridhënia dhe drejtësia duhet të jenë parimet themelore të paqes dhe sigurisë në Ballkanin Perëndimor”, deklaroi Osmani para mediave.

Ndër të tjera, presidentja e vendit tha se është koha që të çlirohet e ardhmja evropiane e Kosovës sepse Kosova mbetet vendi i vetëm në Ballkanin Perëndimor pa status të vendit kandidat.

“Kemi aplikuar rreth 1 vit më parë dhe është koha që të shkohet përpara me këtë proces sepse ne tashmë kemi bërë hapa të mëdhenj, jo vetëm duke i arritur kriteret evropiane, por edhe reformat në sundim të ligjit, demokraci, ekonomi, dhe jemi të gatshëm të bëjmë më shumë. Duhet të na jepet shansi të ecim në këtë rrugë”, theksoi presidentja e Kosovës.

Osmani u pyet në lidhje me sulmin e Banjkës dhe për mundësinë që Këshilli i BE-së të mundë të miratojë masa kundër Serbisë.

Megjithatë, ajo u shpreh pesimiste se mund të ndodhë një gjë e tillë në Këshill “sepse ka shtete anëtare që i bllokojnë ato”.

Megjithatë, e para e shtetit tha se Komisioni Evropian ka potencial të madh për të miratuar masa të tilla sepse, sipas saj, “rezultatet e hetimit tashmë tregojnë se ky ka qenë terrorizëm i sponsorizuar nga shteti, nuk kanë qenë një grup njerëzish që kanë marrë armët që ishin prodhuar në fabrikat serbe të armëve, por kjo ka qenë e organizuar, orkestruar dhe e kryer nga institucionet shtetërore të Serbisë”.

“Dhe ata po i japim shumë mbështetje politike këtyre terroristëve. Prandaj mund të imagjinoni nëse këto armë do të përfundonin në duart e atyre terroristëve që u përdorën në Kosovë më 24 shtator, por pas një kohe përmes këtyre terroristëve mund të përdoren në Bruksel, Paris apo diku tjetër. Duhet të luftohen këto sulme kolektivisht. Shpresoj që më shumë shtete anëtare do ta marrin seriozisht këtë, sepse siç ka thënë Shtëpia e Bardhë më 24 shtator, ky ka qenë një plan për të destabilizuar Ballkanin Perëndimor”, u shpreh Osmani.

Veç kësaj, presidentja tha se mos-marrja e masave ndaj Serbisë “është ftesë për sulme tjera”. /Klankosova.tv

Ju gjithashtu mund të pëlqeni

Kjo faqe interneti përdor cookie për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni në rregull me këtë, por ju mund të tërhiqeni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më shumë