A duhet fshirë Facebook-u? Flet eksperti që ka analizuar ‘lëvizjet’ e Zuckerberg prej më shumë se një dekade
Sa shumë dimë për Mark Zuckerberg?
Njeriu që krijoi Facebook-un. Një nga më të pasurit në botë. 39 vjeç, babai i tre fëmijëve. Po a është ai njeriu që solli diçka të mirë për njerëzimin?
Kësaj pyetjeje i është përgjigjur eksperti Michael Zimmer i cili ka ndjekur me përpikmëri çdo dalje publike të Zuckerberg apo çdo detaj lidhur me të, për më shumë se një dekadë. Nga 2004-a e deri më sot, ai thotë se ka mbi 1500 transkriptime që përmbajnë postime Facebook-u, intervista në media, qindra video të daljeve publike të Zuckerberg.
Sipas ekspertit, gjuha e Zuckerberg duhet parë me shumë vëmendje.
“Shqetësimet rreth privatësisë së të dhënave në Facebook janë shumë të rëndësishme”, tha ai për mediat e huaja. “Nuk them që njerëzit duhet të fshijnë llogaritë e tyre, sepse kjo platformë ka edhe benefite, por duhet kuptuar se sa ekspozohet çdo përmbajtje aty. Ekziston rreziku që një ditë çdo përmbajtje e ruajtur të dalë sheshit.”
Ai shton se së fundmi Zuckerbeg ka filluar të ndajë postime për familjen, por është interesant fakti se ai rrallë nxjerr fytyrat e fëmijëve të tij. “Ai nuk do që fëmijët e tij të jenë në mediat sociale për çështje privatësie, për sigurinë e tyre. Por sigurisht platforma që ai ka ndërtuar skanon fotot tona dhe fytyrat.”
20 vite pas krijimit, Facebook po pasohet me një zinxhir shqetësimesh. Por Zuckerberg nuk u ndal me kaq, Instagram, WhatsApp janë po ashtu prodhim i tij. Në mediat e huaja shkruhet se ai është trajtuar gjithnjë si “princ i familjes”, ndërkohë që i famshëm u bë pas mbarimit të universitetit të Harvardit
Ai krijohi asokohe FaceMash, një Website që merrej me fotot. Më pas ai u zhvendos në Kaliforni atje ku u mor me krijimin e Facebook, me kohë të plotë. Kjo platformë pësoi një rritje të frikshme me biliona përdorues. Ishte e qartë se ky rrjet social gjigant do e ndryshonte botën përgjithnjë, por për mirë apo për keq?!
Në 2010-ën u pa se vende si Siria, Tunizia apo Egjipti e zgjidhën problemin e mediave të kontrollluara, duke krijuar llogaritë personale, aty ku mund të shkruanin çdo gjë. Facebook-u u kthye në një mjet të fuqishëm politik dhe çdo lider i botës është i vetëdijshëm për këtë.
Megjithatë , “Perandoria e Zuckerberg” nuk është kaq pozitive sa duket, për demokracinë. Diçka që vlen të theksohet ka të bëjë me 10 prillin 2018, atë ditë kur Zuckerberg u shfaq në Kongresin Amerikan me një veshje krejt ndryshe nga ç’ishte parë zakonisht. Dukej sikur atë e kishin detyruar të ishte i pranishëm. Eksperti thotë se prej asaj dite, ai është transformuar dhe qëllimet e tij nuk kanë lidhje me ato të fillimit./tvklan.al