Bashke

Gara për president në SHBA, Chris Christie heq dorë nga kandidimi

Ish-guvernatori i Nju Xhersit, Chris Christie tha të mërkurën se po i jep fund kandidimit për president përpara fillimit të votimeve paraprake brenda Partisë Republikane, me një përpjekje të fundit për t’ia mohuar ish-presidentit Donald Trump mundësinë e marrjes së emërimit si kandidat zyrtar për president i Partisë Republikane.

“Qëllimi im nuk ka qenë kurrë të jem thjesht një zë kundër urrejtjes dhe ndasive, si dhe të egoizmit që ka arritur partia jonë nën drejtimin e Donald Trump-it”, tha zoti Christie gjatë një takimi publik në Nju Hempshër.

“E kam thënë gjithnjë se nëse do të vinte momenti në këtë garë kur nuk do të shikoja mundësinë e arritjes së këtij qëllimi, atëherë do të largohesha. Dhe është e qartë për mua sot se nuk ekziston mundësia e marrjes së emërimit, prandaj po ndërpres sot fushatën time për president të Shteteve të Bashkuara”.

Largimi nga gara vjen si surprizë, pasi zoti Christie e kishte bazuar suksesin e fushatës së tij tek zgjedhjet paraprake në Nju Hempshër, të cilat mbahen pas vetëm dy javësh. Ai kishte këmbëngulur deri të martën në mbrëmje se nuk kishte ndërmend të dilte nga gara, duke vazhduar ta paraqesë veten si të vetmin kandidat me vullnetin për t’u përballur me ish-presidentin.

Por zoti Christie përballej me një realitet të vështirë. Anketimet e bëra nga CNN/UNH javën e fundit në Nju Hempshër treguan se katër në dhjetë votues të mundshëm republikanë do të votonin për zotin Trump, megjithë ngushtimin e avantazhit të tij, si dhe se tashmë një e treta e tyre mbështet kandidaten Nikki Haley.

Aleatët e zonjës Haley dhe republikanë të tjerë anti-Trump, i patën bërë thirrje zotit Christie të dilte nga gara, duke shpresuar se një pjesë e madhe e mbështetësve të tij do të kalonin në mbështetje të zonjës Haley, duke i dhënë asaj kështu një shans më të madh përballë ish-presidentit Trump, që vazhdon të jetë favoriti kryesor.

Në anketimin në Nju Hempshër, ku zoti Christie rezultoi me 12% mbështetje, tregohet se rreth dy të tretat e mbështetësve të tij do të përzgjidhnin zonjën Haley si kandidaten e dytë më të preferuar.

Christie hyri në garë si kritiku më i ashpër i ish-presidentit Trump. Ai i paralajmëroi votuesit të mos ia japin emërimin një kandidati ndaj të cilit janë ngritur katër padi penale dhe i cili edhe mund të dënohet deri në zgjedhjet e përgjithshme në nëntor. Ai gjithashtu tha se zoti Trump do të humbiste përballë presidentit Joe Biden, që duket se do të jetë kandidati zyrtar i Partisë Demokrate.

Megjithëse mesazhi i tij anti-Trump tërhoqi vëmendje mediatike dhe ndihmoi për kontributet financiare për fushatën e tij dhe ai vazhdoi në garë për shumë më gjatë se ç’pritej, për zotin Christie kishte nivel të lartë mosmiratimi në radhët e anëtarëve të partisë që vazhdojnë të tregojnë mbështetje ndaj zotit Trump.

Ju gjithashtu mund të pëlqeni

Kjo faqe interneti përdor cookie për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni në rregull me këtë, por ju mund të tërhiqeni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më shumë