Gliha flet para dy përballjeve të muajit shtator: Duhet të jemi gati edhe të vdesim në fushë, pasi luajmë për ekipin kombëtar
Përfaqësuesja e Kosovës është grumbulluar për ndeshjet e muajit shtator, ku do t’i zhvilloj dy sosh.
Dardanët do të ndeshen me Zvicrën më 9 shtator në Prishtinë, derisa tre ditë më vonë përballen me Rumaninë në udhëtim.
Përzgjedhësi i Kosovës, Primoz Gliha ka folur në konferencën për shtyp duke thënë se duhet të jenë gati dhe të vdesin në fushë për të marrë më të mirën.
“Ne duhet të jemi gati edhe të vdesim në fushë, pasi luajmë për ekipin kombëtar dhe për një futbollist profesionist, nuk ka gjë më të rëndësishme. Nuk luajmë për para, por për dinjitet dhe duhet ta tregojmë në fushë këtë”, ka thënë fillimisht Gliha.
Kosova ka disa mungesa të rëndësishme për ndeshjet e muajit shtator, derisa Gliha ka zbuluar se kishin në plan ta grumbullojnë edhe Lindon Emërllahun e Ballkanit, por që talenti therrandas u lëndua.