Bashke

Nesër nxënësit kthehen në bankat shkollore, por shkolla në Paniçar në gjendje të mjerueshme

Ndërsa nxënësit e tjerë po bëjnë përgatitjet e fundit për fillimin e gjysmëvjetorit të dytë shkollor, Seferi nga fshati Paniçar i Komunës së Sarajit ka mëdyshje për këtë. Kjo për shkak se shkolla e fshatit “Ibe Palikuqa” ku ai mëson në klasë të parë rrezikon të shembet, madje kohë më parë ishin shembur tavanët e dy klasave. Dikur e ndërtuar me baltë, kjo shkollë tashmë paraqet rrezik për 32 nxënësit e fshatit që ndjekin mësimin nga klasa e parë e deri atë të nëntë në paralele të kombinuara. Përveç disa bankave dhe karrigeve, shkolla nuk plotëson asnjë kusht tjetër për zbatimin e konceptit të ri mësimor.

“Klasa nuk është e mirë, është e dëmtuar. Frikohemi mos bie kulmi i shkollës. Vajzë axhe e kam, ajo këtu ka mësuar, kur ka ra plafoni ata kanë dal krejt, kanë ik. A ishin friku? Po. A keni kompjuter te shkolla? Jo. Tabelë digjitale? Jo.”, tha një nxënës.

“Kot që e kanë rinovuar, te ajo pjesa tjetër atje muri është i krisur, frikohesh t’i lësh fëmijët të mësojnë. A kemi fëmijë në këtë shkollë? Po, dy djem e një vajzë”, u shpreh një banor.

Ndërkohë që shkolla po rrënohet dalëngadalë, në hyrje të fshatit Paniçar tashmë disa vjet po ndërtohet objekti i ri shkollor. Banorët thanë se premtimet ishin që shkolla e re të ndërtohet për një periudhë të shkurtë kohore por të njejtat mbeten vetëm premtime parazgjedhore. Në vend të nxënësve shkolla frekuentohet nga kafshët.

“Fëmijët tonë janë katastrofë në atë vend që mësojnë mirëpo nuk ka kush që interesohet për këto fëmijë. Të vjen dikush prej poshtë e të interesohet këta fëmijë ku mësojnë, për gjynah të Zotit. Ja kanë vënduar emrin që shkolla është ndërtu ama emrin ja kanë vëndu, aty shkojnë kafshët rreth e rrotull. Ku do të shkojnë këto të shkretët, këtu munden, me trup e shpirt mundohen ta mbajnë këtë vend, këtë xhami e këtë shkollë”, theksoi Hoxha i fshatit.

“Këtu, 14 shtëpi kanë mbet a kanë qenë 35 shtëpi. Të gjithë janë shpërngulur për shkak të kushteve që po i shihni vet. Një ndër to edhe shkolla, kur do e lëshojnë shkollën një Zot e di”, shtoi një banor.

Nga Komuna e Sarajit nuk dhanë asnjë sqarim për vonesën e ndërtimit të objektit të ri shkollor. Shkurt u përgjigjën se punimet ndërtimore po zhvillohen dhe se objekti i ri do të lëshohet në përdorim në vitin e ri shkollor 2024/25./Alsat.mk

Ju gjithashtu mund të pëlqeni

Kjo faqe interneti përdor cookie për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni në rregull me këtë, por ju mund të tërhiqeni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më shumë