Pasaportat me emrin e vjetër të shtetit nga sot janë të pavlefshme. Qytetarët për të udhëtuar jashtë vendit duhet patjetër të kenë pasaportë me emrin Maqedonia e Veriut.
Por përveç mungesës së terminëve, problem mbetet mungesa e ekzemplarëve për këtë dokument udhëtimi. Qytetarët të cilët kanë aplikuar, thonë se presin një e më shumë muaj për të marrë pasaportën.
Shumë prej tyre ankohen se janë detyruar të anulojnë pushimet jashtë shtetit.
“U treguan sa zgjatë pritja për të marrë pasaportën? Po, përafërsisht një muaj. Dhe si i komentoni këto pritje? Katastrofë, pa zgjidhje konkrete, pa i ndihmuar qytetaret”, tha një qytetar.
“Po, kemi caktuar për në ora 11:00. Dhe ja presim të na thirrin. Presim për pasaportë. Na duhet për pushime, për fundjavë dhe shpresoj që do të rregullohet situata në shtet dhe shpresoj që organet do të kryejnë punën e tyre që të jetë më mirë”, u shpreh një qytetar tjetër.
“Për çfarë dokumenti pritni? Pasaportë, letërnjoftim dhe lejen e vozitjes. U treguan se sa duhet të pritni që të merrni dokumentet? Jo”, theksoi një qytetar.
Ministri Pançe Toshkovski pranon se ka mungesë të ekzemplarëve. Sipas tij aktualisht ka vetëm 5000 ekzemplarë në gjuhen maqedonase dhe rreth 10 mijë në gjuhen shqipe.
Ai thotë se deri në fund të këtij muaji duhet të mbërrijnë rreth 250 mijë ekzemplarë. Sipas ministrit teknik të Punëve të Brendshme rreth 650 mijë qytetarë nuk kanë pasaporta me emrin e ri të shtetit./ Alsat.mk