Pa dyshim, ekrani është një pjesë kyçe e çdo laptopi. Megjithatë, po sikur t’ju themi se ekziston një pajisje pa këtë komponent?
Kompania Sightful prezantoi Spacetop G1 – një kompjuter mobil që kushton rreth 1750 euro dhe nuk ka një ekran tradicional.
Në vend të kësaj, përdorimi i këtij laptopi kërkon një palë syze të realitetit virtual, transmeton Telegrafi.
Ky laptop është zhvilluar për gati tre vjet nga veteranë të Apple, Microsoft dhe Magic Leap. Pjesa e poshtme është standarde dhe përfshin një tastierë me 79 butona, një trackpad dhe dy porte USB-C.
Megjithatë, pjesa e sipërme është ajo që e bën atë të veçantë. Në vend të një ekrani të rregullt, laptopi ka hapësirë për të vendosur syze AR që kanë ekrane të dyfishta OLED me një rezolucion prej 1920 x 1080 dhe një shpejtësi rifreskimi prej 90 Hz.
Këto syze krijojnë një hapësirë të madhe pune virtuale prej 100 inç, ose të paktën iluzionin e një hapësire të tillë. Duke qenë se fusha e shikimit arrin deri në 50 gradë, përdoruesit nuk do të mund të shohin të gjithë hapësirën e punës menjëherë, ndaj do të duhet të lëvizin kokën për të parë pjesë të ndryshme.
Kompania Sightful thekson se kjo hapësirë pune “pothuajse e pafund”, e kombinuar me një sistem operativ hapësinor të personalizuar të quajtur SpaceOS (bazuar në ChromiumOS), mund të rrisë ndjeshëm produktivitetin dhe kreativitetin e përdoruesit.
Nën kapak, Spacetop G1 është i pajisur me një çip të fuqishëm Snapdragon 8cx Gen 3. Ai gjithashtu ka një komponent të dedikuar grafik, Adreno 740 GPU, i cili përmirëson shfaqjen e imazheve dhe videove, dhe Hexagon NPU që ndihmon veçanërisht në përpunimin e detyrave komplekse si AI, duke lejuar pajisjen të përpunojë shpejt sasi të mëdha të dhënash.