Bashke

LD: Ikja masiv e rinisë, rezultat i dhimbshëm i qeverisjes 20 vjeçare të BDI-së

Përderisa në njërën anë qeveritarët në Maqedoninë e Veriut flasin për kinse “suksese dhe perspektivë” në lëmin e ekonomisë, në anën tjetër të rinjtë, sidomos ata shqiptarë, nuk shohin asçfarë perspektivë, ndaj në kërkim të një ardhmërie më të mirë ata marrin rrugën drejt perëndimit. Ikja e tyre fatkeqësisht gjithnjë e më shumë po bëhet e dukshme në mesin tonë!, thuhet në njoftimin e Lëvizjes Demokratike.

“Duhet të dihet se largimi nga shtëpia, në traditën e shqiptarëve, është një segment i dhimbshëm, sepse është hapi i fundit pas përpjekjeve për të gjetur zgjidhje tjera.

Të shtunën stacionet e autobusëve (por edhe Aeroporti i Shkupit) janë të mbushura përplot me familjarë, të cilët përcjellin fëmijët e tyre që kanë bileta njëdrejtimëshe. Është një pamje tepër tronditëse, një pamje e cila pasqyron dështimin e një qeverie, e cila mendon vetëm për perspektivë e anëtarëve të vet dhe të familjeve të tyre.

Kot apelon BDI për të aplikuar të rinjtë tanë për të punuar në ndërtimin e korridoreve. Për plotësimin e 2000 vende pune mezi u paraqitën 300 të interesuar, sepse forca e punës po derdhet me të madhe jashtë Maqedonisë së Veriut.

Kjo ikje masive ka bërë që të zbrazen vendbanimet shqiptare, ka bërë që në përmasa alarmante të bie numri i nxënësve, të mbyllen shumë shtëpi e të hapen shumë plagë shpirtërore”, theksojnë nga LD.

Siç theksohet në kumtesën e LD-së e gjithë kjo është pasojë e keqqeverisjes, e padrejtësisë, e korrupsionit, e pasigurisë, e paperspektivës, e mungesës së moralit, e kapjes së shtetit, e vjedhjes dhe hajnisë!

“Ndaj ikjet e të rinjve nuk do të pushojnë, siç nuk do të pushojnë as edhe autobusët dhe aeroplanët, që i çojnë këta të rinj të dëshpëruar në vendet e Perëndimit, ku shpresojnë se do të gjejnë një jetë më të dinjitetshme”, thuhet mes tjerash në kumtesë.

https://fb.watch/nZWjMs_Xq1/?mibextid=v7YzmG

Ju gjithashtu mund të pëlqeni

Kjo faqe interneti përdor cookie për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni në rregull me këtë, por ju mund të tërhiqeni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më shumë