Sveçla në Shkup, pritja në Bllacë nga zvministri Iseni, më pas takimi në Ministri edhe me Toshovskin
Ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla sot po qëndron për vizitë zyrtare në Maqedoninë e Veriut.
Delegaciomi i MPB nga Kosova në vendkalimin kufitar Bllacë është pritur nga zëvendësministri i MPB-së, Astrit Iseni si dhe deputeti Bekim Qoku.
“Në kuadër të vizitës së delegacionit të ministrisë së Punëve të Brendshme të Republikës së Kosovës të kryesuar nga ministri z.Xhelal Sveçla si dhe Drejtorin e Policisë z. Gazmend Hoxha në ministrinë e Punëve të Brendshme të Republikës së Maqedonisë së Veriut ku do të zhvillojë takim pune me udhëheqësinë e MPB-së, kisha nderin t’i dëshiroj mirëseardhje në vendin tonë në vendkalimin kufitar Bllacë. Pas pritjes sëbashku u drejtuam në ambientet e MPB-së ku do të organizohet pritje zyrtare, ndërsa pastaj është paraparë takim pune e të dy delegacioneve. Ky bashkëpunim do të forcojë sigurinë dhe marrëdhëniet e dy vendeve me synim mbrojtjen e shtetit ligjor dhe sigurimin e një mjedisi të sigurt për qytetarët”, theksoi Iseni.
Më pas delegacioni i Ministrisë së Punëve të Brendshme i kryesuar nga ministri Pançe Toshkovski ka zhvilluar takim bilateral me delegacionin e Ministrisë së Punëve të Brendshme të Kosovës, të kryesuar nga ministri Xhelal Sveçla.
Siç bëhet e ditur, në takim u fokusua në avancimin e bashkëpunimit të ndërsjellë dhe thellimin e lidhjeve miqësore ndërmjet MPB-së së Maqedonisë dhe MPB-së së Kosovës.
“Në takimin e sotëm dypalësh me homologun tonë knga Kosova, bashkërisht konfirmuam bashkëpunimin e jashtëzakonshëm policor që kemi, me shpresën se do ta përmirësojmë edhe më tej, për të pasur një rajon më të sigurt, një luftë reale kundër krimit të organizuar dhe për të pasur një efikasitet më të madh dhe transferim më të shpejtë të njerëzve dhe mallrave ekonomike nëpër vendkalimet kufitare. Të dy konstatuam se sistemi “One stop” për transferim më të shpejtë të qytetarëve është vendimtar dhe duhet të vihet në funksion sa më shpejt në të ardhmen. Jemi të detyruar si politikanë të përgjegjshëm të bëjmë gjithçka që është e mundur për të thjeshtuar sa më shumë kalimin e pikave kufitare mes dy vendeve, por në të njëjtën kohë të respektojmë procedurat për kontrollet e sigurisë që duhet të kryhen”, tha ministri Toshkovski, duke shtuar se në takim është diskutuar rreth përkushtimit për luftimin e krimit transnacional dhe të organizuar.
Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Sveçla tha se bashkëpunimi mes dy ministrive është i shkëlqyer, me përkushtim për zero tolerancë ndaj krimit.
“Ramë dakord se ka ende potencial dhe hapësirë për bashkëpunim më të madh, veçanërisht në luftën kundër krimit të organizuar, terrorizmit, trafikimit të qenieve njerëzore, për të mirën e qytetarëve të të dy vendeve. Synimi ynë është që qytetarët t’i kalojnë më lehtë kufijtë tanë dhe në të njëjtën kohë të kemi një luftë edhe më të suksesshme kundër krimit të organizuar”, tha ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Sveçla.(INA)
https://www.facebook.com/permalink.php?story_fbid=122106330446380816&id=61561424504452&ref=embed_post