Bashke

Ronaldo iu përgjigjet kritikëve dhe i thumbon rivalët

Në një intervistë në kanalin e tij në YouTube me Rio Ferdinand, Cristiano Ronaldo ka folur për objektivin e tij kryesor në karrierë: t’i arrijë 1000 gola.

Ylli portugez foli edhe indirekt për përballjen me Pelé e Romario, duke shpjeguar se si, në rastin e tij, për të dallim me legjendat tjera, ka edhe “prova” përmes videove për golat e tij.

“Së pari dua t’i arrij 900 gola, më pas 1000. Por, me një diferencë: të gjithë golat e mi janë të filmuar, i kam provat”, deklaroi CR7, duke i “thumbuar” Pelen e Romarion, përcjell “Gazeta Express”.

“I respektoj të gjithë, por i kam provat. Nëse dëshiron, mund t’i sjell edhe golat që i kam shënuar në stërvitje, nuk ka problem”, qeshi më pas portugezi.

Edhe pse 39 vjeç, ish-futbollisti i Sporting Lisbonës, Manchester Unitedit, Real Madridit dhe Juventusit është ende i uritur për suksese, si në nivelin personal ashtu edhe në atë ekipor.

“Dua të shënoj gjithmonë. Qoftë kundër Francës apo ndaj al-Ettifaq, për mua nuk ndryshon asgjë. Pas një ndeshjeje të fituar, është edhe më mirë. Por, nëse shënoj më shumë, do të jem edhe më i lumtur. Dhe, pas humbjes kam mësuar se jeta vazhdon tutje”, nënvizoi pesë herë fituesi i Topit të Artë.

Duke iu përgjigjur kritikëve, ai shtoi: “Unë egoist? Mendoni se do të ndryshoj tash? ‘Cristiano është egoist, blah, blah, blah, po mendoni se do të ndryshoj tash, kur jam gati 40 vjeç? Natyrisht që jo. Nëse të pëlqen apo jo, është pjesë e jetës. Nuk është një problem për mua”, shtoi Ronaldo.

Ai foli edhe për Kombëtaren e Portugalisë, të cilën nuk e ka ndërmend ta lërë dhe duket se synon të marrë pjesë edhe në Botërorin 2026, kur do të jetë 41 vjeç.

“Sa i përket Kombëtares, njerëzit thoshin: ‘Është i mbaruar, është 39 vjeç, po vjetërsohet’. Por, përse? Sepse nuk e kam shënuar një gol. Por, çka të themi për të kaluarën? I kam shënuar 10 gola në kualifikime dhe shënova dygolësh ndaj Irlandës para Evropianit”, përfundoi Ronaldo.

Ju gjithashtu mund të pëlqeni

Kjo faqe interneti përdor cookie për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni në rregull me këtë, por ju mund të tërhiqeni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më shumë