Sot bëhen 34 vjet nga rënia e dy dëshmorëve të kombit, Fahri Fazliu dhe Afrim Zhitia, nga Komuna e Podujevës.
Fahriu dhe Afrimi ranë më 2 nëntor të vitit 1989, në “Bregun e Diellit” në Prishtinë, pas një luftimi të pabarabartë me forcat e armikut.
Fahri Fazliu, u lind në vitin 1963 në Llaushë të Podujevës. Shkollën fillore e përfundoi në vendlindje, ndërsa të mesmen në Prishtinë. Ai ishte pjesëmarrës edhe në demonstratat e vitit 1981. Ai aktivitetin e tij në çlirim të atdheut do ta vazhdojë gjatë tërë kohës edhe në vendin e tij të punës dhe kudo ku i jepej mundësia.
Afrim Zhitia u lind në vitin 1965 në Llugë të Podujevës. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, ndërsa të mesmen në Prishtinë. Më 1982, si nxënës i vitit të tretë të shkollës së mesme, inkuadrohet në organizatën ilegale Fronti Nacionalçlirimtar i Kosovës. Më 1984 arrestohet bashkë me shokë dhe dënohet me katër vjet burg.
Kështu më 2 nëntor, Afrimi dhe Fahriu, u rrethuan në lagjen “Bregu i Diellit” nga UDB-ja serbe dhe prej orës 12:45 deri në ora 19:00 të shtënat nuk janë ndalur, kur edhe bien heroikisht të dy atdhetarët./KosovaPress